“Ura e vashës” gjendet mes katundeve Klos dhe Guri i Bardhë. Ajo ndërlidh dy brigjet e lumit Mat dhe ka qenë e vetmja rrugë lidhëse në rrjedhën e sipërme të lumit të Matit. Ura është ndërtuar me një hark dhe në anën e djathtë të rrjedhës ka një dritare shkarkuese. Këmbët e saj janë vendosur në malin e Vërrithit dhe malin e Dishit.
Është 11 m e gjatë, hapësira e dritës midis dy këmbëve është 7 m dhe lartësia e harkut nga pasqyra e ujit po 7 m. Gjerësia e trasesë së urës është 2. 8 m dhe është shtruar me gurë e rrasa. Harku i saj është gjysmë rrethor dhe është punuar me gur gëlqeror të latuar e të skuadruar dhe me qemer të dyfishtë. Të dy anët e qemerëve janë përforcuar me ganxha hekuri.
Në faqen e djathtë të shkëmbit, kur vjen nga Guri i Bardhë, duken gjurmët e vendit ku ka qenë fiksuar një kushtim që bënte fjalë për ndërtuesit dhe kohën e ndërtimit të saj. Kjo urë ka mbajtur mbi shpatullat e saj gjithë barrën e karvaneve të rrugës për në Dibër, e cila lidhte atë me bregdetin nga merrej kripa dhe produkte të tjera.
“Ura e Vashës” nuk ka pasur këtë emër. Ajo quhej “Ura e Skurës” dhe e ka ndërtuar si vepër bamirësie Haxhi Hajrulla Skura nga lagja “Mansaj” e Gurit të Bardhë, afërsisht 300 vite më parë. Ajo i ka marrë emrin “Urës së Vashës” që gjendet jo shumë larg saj, në Sheun e Dishit dhe që sot quhet “Ura e Skurës”. Duke qenë më e rëndësishme dhe emri “Ura e Vashës” më simbolik, ka përvetësuar këtë emër, duke u njohur si e tillë në gojën e kalimtarëve.
Duke krahasuar me urat e tjera të Matit, “Ura e Vashës”, nga ana teknike dhe tipologjike, përkon me urën e “Hoxhajve”, “Kulmares”, “Skurës” në Gur të Bardhë dhe “Shën e Premtes” në Gurrë të Vogël. Kurse jashtë Matit, ajo ngjan me fazën e dytë të shtesës në “Urën e Mesit” në Shkodër dhe me “Urën e Kamares” në Librazhd, që dihen se kur janë ndërtuar; “Urën e Mesit” e ka ndërtuar Mehmet pashë Bushati në shek. XVIII, kurse “Ura e Kamares” ka pasur një kushtim që datonte vitin 1715.
Ura e Vashës vizitohet nga shumë turistë shqiptarë e të huaj, madje edhe një tabelë e vogël ku shkruhet “Ura e Vashës” është vendosur nga turistë çekë. Bukuritë natyrore dhe vlerat historike të kësaj zone janë krejt të panjohura për shumë shqiptarë, jo më për të huajt. Përgjatë kësaj rruge ka shtëpi karakteristike prej guri, me dritare të vogla ose frëngji.
Sipas legjendës, ura ka marrë këtë emër nga që një familje nga fisi Skuraj, që jetonte në Gur të Bardhë, kishte vetëm një vajzë, e cila nuk u martua se nuk kalonte dot lumin. Një ditë, vasha vendosi që me të ardhurat e saj të ndërtojë urën.