MENU
klinika

Të dhënat nga INSTAT

Lejet e ndërtimit/ Në 2018 numri më i lartë në 6 vjet

02.03.2019 - 10:41

Numri i lejeve të ndërtimit për vitin 2018 shënoi nivelin më të lartë për gjashtë vitet e fundit.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, vitin e kaluar u miratuan afro 1200 leje ndërtimi, në rritje me 46% krahasuar me vitin 2017.

Vlera e përafërt e lejeve të miratuara ishte 59 miliardë lekë, edhe kjo shifër rekord për gjashtë vitet e fundit dhe 20% më e lartë krahasuar me vitin 2016.

Në dy vitet e fundit vërehet një rritje e ndjeshme e nismës ndërtuese në ekonominë shqiptare. Pas shfuqizimit të moratoriumit për lejet dhe përmirësimit të ngadaltë të ekonomisë, interesi i bizneseve për të ndërtuar është rritur.

Sipas statistikave të detajuara, lejet janë të shpërndara si tek ndërtimet rezidenciale, ashtu edhe në ato për qëllime biznesi, ndërtesa tregtare, industriale apo hotele.

Një efekt në rritjen e numrit të lejeve po jep edhe kufizimi i praktikës së ndërtimeve pa leje. Kështu, rreth 80% e lejeve të dhëna për ndërtime rezidenciale vitin e kaluar janë për ndërtesa një ose dy katëshe.

Ndërkohë, numri i lejeve për pallate në të gjithë Shqipërinë vitin e kaluar ishte 142, në rritje me 10% krahasuar me vitin 2017.

Numri më i madh i lejeve të ndërtimit gjatë vitit të kaluar u përqendrua në Tiranë, Sipas Instat, në kryeqytet u dhanë 388 leje ndërtimi ose rreth 32% e gjithë lejeve në nivel kombëtar.

Vijon Qarku i Durrësit me 156 leje ndërtimi dhe Qarku i Fierit me 129 leje.