Ligji i ri i Kadastrës nuk lejon regjistrimin e asnjë sipërfaqe toke të fituar përmes gjyqeve të faktit pas vitit 1994.
Në nenin 46 të ligjit parashikohet se vendimi gjyqësor, që vërteton faktin juridik të pronësisë, i miratuar pas datës 1.11.1994, nuk regjistrohet.
Në rast se nuk plotësohen kushtet e sipërpërmendura, Drejtoria e Përgjithshme, me vendim të arsyetuar, vendos refuzimin e kërkesës për regjistrim, shkruan Scan.
Gjyqet e faktit kanë qenë për vite një mundësi për të përfituar toka duke u bazuar te dëshmitë e pronarëve kufitarë që vërtetonin se përpara gjykatës se toka i përkiste një pronari të caktuar.
Mjaftonte dëshmia e disa prej pronarëve kufitarë të një sipërfaqe të caktuar për të bindur trupën gjykuese që ajo sipërfaqe i takonte pretenduesit.
Vendimi i gjykatës shërbente për të përfituar pronësisë mbi atë tokë në institucionet përkatëse.
Kjo mënyrë përfitimi e pronësisë mbi një sipërfaqe është përdorur jo rrallë për korrupsion me pronat.