MENU
klinika

Gara për President

Maqedoni/ Kandidatët kërkojnë korrektësi në zgjedhje

22.03.2019 - 22:14

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut hodhi shortin për numrat rendor në listën për zgjedhjet presidenciale.

Blerim Reka do të mbajë numrin 1, Gordana Silnjanovska numrin 2, ndërsa numri 3 do të jetë për Stevo Pendarovski. Anëtarët e KSHZ-së paralajmëruan kandidatët se fushatën e kanë filluar para afateve të parashikuar. Kreu i KSHZ-së Derkovski tha se do të bëjnë maksimumin për zgjedhje korrekte, por kjo varet edhe nga kandidatët dhe mbështetësit e tyre.

“Nuk varet gjithçka nga KSHZ-ja, varet nga të gjithë pjesëmarrësit në këtë fushatën zgjedhore. Nëse dëshirojmë që të kemi zgjedhje korrekte dhe të pastra, duhet të gjithë të përpiqemi ti bëjmë ata zgjedhje të tilla. Dhe të dëshmojmë kapacitet demokratik edhe të shtetit edhe të qytetarëve të shtetit. Nuk ka rrugë tjetër, patjetër të lëvizim në këtë rrugë që në fund të përfundojë gjithçka siç duhet”, u shpreh Oliver Derkovski, kryetar i KSHZ-së.

Përfaqësuesit e kandidatëve për president, u zotuan se do të udhëheqin fushatë demokratike dhe evropiane.

Të njëjtën e kërkuan nga të gjithë kandidatët që synojnë postin e Presidentit në Maqedoninë e Veriut.

“Këto zgjedhje janë një test, një provim shumë me rëndësi për shtetin tonë, para KE, të tregojmë se edhe ne mundemi të organizojmë një fushatë, një zgjedhje presidenciale ashtu siç duhet, Evropiane”– deklaroi Ramadan Rexhepi, zëdhënës i kandidatit Blerim Reka.

“Edhe në fillim të fushatë paralajmëruam se do të përmbahemi, respektivisht se do ti respektojmë të gjitha normat ligjore që të mos kemi paraqitje publike, me qëllim që të mos i shkelim dispozitat e normave polizive ligjore të cilat thonë që të mos ketë dalje publike të kandidatit për president”– theksoi Darko Kaeski, përfaqësues i kandidatit Stevo Pendarovski.

Sipas Kodit Zgjedhor, prej sot deri më 31 mars, kandidatët dhe partitë duhet të mos mbajnë aktivitete publike, mos shpërndajnë propagandë nëpër media dhe rrjete sociale. Fushata zgjedhore zyrtarisht fillon më 1 prill ndërsa përfundon më 19 prill në mesnatë. Më 20 prill është heshtje parazgjedhore.

Raundi i parë i zgjedhjeve mbahet më 21 prill, ndërsa raundi i dytë më 5 maj.