MENU
klinika

Gara për President

Maqedoni/ Kandidatët ndezin garën në rrjetet sociale

24.03.2019 - 11:18

Kandidatët për president në Maqedoninë e Veriut vijojnë betejat edhe në rrjetet sociale.

Kandidatët që janë verifikuar edhe nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, janë Stevo Pendarovski nga partitë në pushtet të udhëhequra nga LSDM-ja, Gordana Siljanovska nga OBRM-PDUKM-ja dhe Blerim Reka nga opozita shqiptare.

Secili prej tyre pret fitore duke lavdëruar konceptin e tyre si më të mirin të mundshëm.

“Padyshim se kandidatura e Pendrarovskit është zgjedhje për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, për shtet stabil, të sigurt dhe të përparuar, president i cili do ta çojë vendin drejt NATO-së dhe BE-së”, ka deklaruar Aleksandar Kiracovski, drejtues i shtabit zgjedhor të Lidhjes Social Demokrate.

Nga opozita maqedonase thonë se kandidatja e tyre është zgjedhja e vetme për qytetarët për të demaskuar të gjitha paaftësitë e qeverisjes së tanishme dhe vendimet që ka marrë në dëm të shtetit.

“Do të vizitojmë çdo familje që t’i tregojmë të vërtetën, atë që po ndodhë në Maqedoni, por edhe do ti flasim edhe për periudhën kur ne ishim në pushtet. Nga kjo qeveri e korruptuar dhe e paaftë po përballemi me gjendje të rënd në vend. Për shkak të kësaj dhe vendimeve të dëmshme për vendin dhe qytetarët, ajo duhet sa më parë të largohet nga pushteti”, thekson Vllado Misajllovski, nënkryetar i OBRM-PDUKM-së.

“Koncepti i profesorit Blerim Reka, e bën atë të veçantë nga kandidatët e tjerë. Ne preferojmë që ai vet ta prezantojë programin e tij. Do të kemi një fushatë pak më ndryshe, do të kemi një koncept të ri”, nënvizon shtabi zgjedhor i kandidatit për president të opozitës shqiptare.

Fushata parazgjedhore do të nisë më 1 prill, por kandidatët e partive, në veçanti Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovski fushatën e kanë nisur shumë kohë më parë edhe atë në rrjetet sociale duke shkëmbyer akuza e pikëpamje të ndryshme lidhur me zhvillimet në vend.

Disa nga ekspertët shprehen se do të ishte më mirë sikur zgjedhja e presidentit të bëhej në Kuvend dhe jo në zgjedhje të drejtpërdrejta.

“Nuk mundet që tërë fushatën ta mbani vetëm se në sferën e politikës jashtme apo në reformat që kanë të bëjnë me inteligjencien dhe politikat e armatës. Këto janë sfera ku presidenti ka kompetenca dhe kur mundësitë janë të kufizuar normalisht se kandidatët dalin edhe jashtë sferave të tyre të ndikimit duke bërë edhe premtime tjera. Konsideroj se duhet të ndryshojë mënyra zgjedhjes së presidentit. Për t’i ikur harxhimeve, fushatave elektorale e procedurave tjera do të ishte mirë që presidenti përfundimisht të zgjidhet në Kuvend”, shprehet Marko Trashanovski nga Instituti për demokraci.

Në zgjedhjet e ardhshme, dy kandidatët me më shumë vota kalojnë në fazën e dytë zgjedhore dhe më pas kandidati që do të marrë më shumë vota do të jetë pasardhës i Gjorge Ivanovit në postin e presidentit të ri të Maqedonisë së Veriut.