Samiti II i Diasporës, që u mbajt në Tiranë, ishte një mundësi më shumë për promovimin e vlerave, kulturës, folklorit e trashëgimisë shqiptare. Samiti, ishte në të njëjtën kohë një këndvështrim mbi mënyrat e reja të kultivimit, mbrojtjes e shpalosjes së identitetit kombëtar shqiptar në botë.
Gjatë ditëve të Samitit II, ministria e Kulturës propozoi tri nga objektet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore, që kërkojnë mbështetjen e diasporës, sa i takon ristrukturimit ashtu edhe rijetëzimit të tyre.
“Shtëpia e Abatit” ose selia e shoqërisë “Bashkimi”, tashmë e rrënuar, që është selia e shoqërisë kulturore e atdhetare “Bashkimi”, shoqëri falë të cilës gëzojmë sot alfabetin e gjuhës shqipe.
Kjo shoqëri, themeluar prej Dom Preng Doçit, mban gjurmët e emrave të shquar si: At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Dodë Koleci, Dom Ndoc Nikaj, Anton Xanoni, Imzot Jak Serreqi, Imzot Lazër Mjeda, etj. Shtëpia është një objekt me vlera unikale përsa i përket historisë.
Një tjetër objekt i rëndësisë së veçantë, mbetet “Muzeu Kombëtar i Arsimit” në Korçë, dëshmitari që rrëfen rrugëtimin e arsimit kombëtar shqiptar në të gjithë epokat.
Kalaja në kepin e Rodonit, apo thënë ndryshe Kalaja e Skënderbeut është një ndër vlerat e rralla, mrekulli e trashëgimisë sonë kulturore, vendi ku sipas legjendave, Skënderbeu kthehej pas betejave të mëdha.”
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, falënderoi pjesëmarrësit në Samitin e Diasporës për idetë, sugjerimet dhe shkëmbimin e eksperiencave.