Bizneset që e kanë të pamundur të paguajnë menjëherë detyrimet, mund t’i paguajnë ato me këste.
Kusht për kryerjen e pagesës me këste është që biznesi duhet të lidhë një marrëveshje me Tatimet.
Në rast se biznesi nënshkruan një marrëveshje, fillimisht duhet të paguajë 20 për qind të detyrimeve, ndërsa nuk i llogariten gjobat e vonesës. Detyrim është edhe pagesa e kamatëvonesave. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikoi dje udhëzimin me procedurat që ndiqen për bizneset që kërkojnë të lidhin marrëveshje të re, si dhe për ata që e kanë nënshkruar.
MARRËVESHJA
Udhëzimi i Tatimeve përcakton se për të nënshkruar një marrëveshje të pagesës me këste, fillimisht biznesi duhet t’i drejtohet me një kërkesë me shkrim Drejtorisë Rajonale Tatimore, nën juridiksionin e së cilës është regjistruar. Gjithashtu, në këtë kërkesë biznesi duhet të shpjegojë rrethanat dhe arsyet pse kërkohet të lidhet një marrëveshje për të paguar me këste detyrimet tatimore. Drejtoria Rajonale Tatimore, brenda 10 ditëve, njofton nëse kërkesa pranohet apo refuzohet.
Nëse kërkesa pranohet, nënshkruhet marrëveshja për pagesë me këste të detyrimeve tatimore të papaguara.
“Kjo marrëveshje nënshkruhet nga tatimpaguesi dhe nga drejtori i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve ose drejtuesi i njësisë së ngjashme me të, vetëm nëse tatimpaguesi paguan menjëherë 20 për qind të vlerës së detyrimit, për të cilin lidhet marrëveshja e pagesës me këste. Administrata Tatimore ndërpret masat e mbledhjes me forcë, të mbledhjes së detyrimeve tatimore, por ajo nuk tërheq masën e vendosur për të siguruar pagesën e detyrimit tatimor.
Nënshkrimi i një marrëveshjeje për pagesën me këste të një detyrimi tatimor, nuk ndërpret llogaritjen e kamatëvonesave për mospagim në afat të detyrimit tatimor të mbetur pa paguar”, thuhet në udhëzimin e Tatimeve. Për ato biznese, të cilat kanë një marrëveshje të pagesës me këste, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron se mund ta ndjekin në kohë reale nëpërmjet modulit e-Filing.
“Në llogarinë individuale të tatimpaguesit, në menynë ‘Kontabilitet’ shfaqet menjëherë plani i pagesës, nga ku mund të gjenerohet ‘Urdhër-Pagesa’ e dedikuar vetëm për këtë plan.
Pagesa do të mbulojë vetëm periudhën/periudhat e përcaktuara në këstin e radhës. Në rastet e marrëveshjeve për pagesë me këste, tatimpaguesi paguan kamatëvonesat, ndërsa nuk llogaritet gjobë për pagesë të vonuar”, citohet në udhëzim.