Ekzekutimi i vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali të shtunën në Shkodër ende nuk ka autorë.
Pista kryesore e hetimit mësohet se është ajo e hakmarrjes, por veprimet e para të Policisë 24 orë pas vrasjes së dyfishtë nuk ka dhënë rezultate të shpejta.
As dëshmitë e 20 personave të shoqëruar në polici duket se nuk i kanë shërbyer arrestimit të ekzekutorëve të dy vëllezërve Bilali, por vetëm zbardhjes së dinamikës.
Mbi bazë të provave, hetuesit dyshojnë se Astrit Bilali iu kundërpërgjigj atentatorëve me një pistoletë që u gjet pranë trupit të tij.
Ndërkohë autorët e sulmit nga ana tjetër përdorën një automatik kallashnikov që u gjet në makinën e djegur pas vrasjes.
Arma do të dërgohet në laboratorin e kriminalistikës në Tiranë në kërkim të gjurmëve të autorëve.
Por fakti që makinës iu vu flaka, i zbeh pritshmëritë, pasi djegia e makinave është një mënyrë që përdorin autorët e ngjarjeve kriminale për të dëmtuar provat.
Makina nga ana tjetër rezulton e vjedhur në vitin 2018, ndërsa për të larguar vëmendjen i ishin mbivendosur targa të një mjeti tjetër.
Brahim Bilali drejtonte shoqatën “2 Prilli” në Shkodër, ndërsa Astrit Bilali është babai i ish-boksierit të Vllaznisë.
59-vjeçari është babai i Asmer Bilalit i arrestuar në shtatorin e vitit të kaluar në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.
Ndaj në emër të familjes, gjyshi i ish-boksierit apeloi institucionet të veprojnë sa më parë për zbardhjen e krimit që sipas tij shoi dy familje ndërsa kishte një lutje për nipin.
“Në rastin që ka ndodh është një nga ngjarjet më të rënda që mund të ketë edhe Shkodra edhe gjithë Shqipëria. Këto janë gjëra që duhet t’i ndjekë djali dhe shteti duhet të marrë masa për ata që e kanë kryer këtë akt të shëmtuar. Kjo familje pothuajse është shkatërruar totalisht. Astrit Bilali ka një djalë edhe e ka në burg, i cili është kap me grupin e Bajrajve dhe atë shteti do ta ndjeki, t’i zbulojë ngjarjet dhe përfundimisht ai që ka bërë fajin ai duhet të përgjigjet ligjeve të shtetit.
Ne kërkojmë që familja të mos shkatërrohet krejt sepse në këtë familje ka mbet vetëm një djalë 23-vjeç dhe është i paralizuar qysh se ka lind. Po prap Asmer Bilali është në burg dhe akoma nuk ka përfunduar gjyqi. Si do dalë do presim vendimin e Prokurorisë dhe Gjykatës.
Ne i kërkojmë që ta arsyetojnë me dorë në zemër që ta shohin këtë familje që mos marohen krejtësisht, por të bëjnë ç’është e mundur, përveç ardhjes që vjen sot këtu, mundësisht me e lënë dy ditë në shtëpi Asmer Bilalin, të presë dhe të përcjellë njerëz”,– deklaroi gjyshi i Asmerit.
Drejtoria e Burgjeve i ka dhënë leje Asmer Bilalit për të qenë në ceremoninë mortore të babait dhe të xhaxhait të tij. Ai ka qenë i shoqëruar nga tre furgonë policie nën masa të rrepta sigurie.
Vrasja e fundit e serisë së krimeve të pazbardhura në kryqendrën e veriut detyroi Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj që pas një analizë disa orëshe të ndryshojë drejtuesin e Policisë së Shkodrës.