Më i lavdishmi i farës suliote të Boçarëve, Marko Boçari, lindi në Sul të Janinës, më 1790-ën, në një familje me zë, prej nga kishin dalë shumë burra trima si Kiço Boçari, Kosta, Dhimitri, Jorgji dhe kapedani i madh i revolucionit të vitit 1821, Noti Boçari.
Babai i Markos, Kiço Boçari u martua tri herë dhe kishte 18 fëmijë, pesë prej të cilëve i vdiqën të vegjël. Nga martesa e parë me Krisulla Papazotin kishte Janin, Lenën, Marien, Anastasin dhe Markon.
Pema gjeneologjike e Boçarenjve – mendohet se rrjedhin nga fshati Draganj (sot: Αμπελιά/Ambeliá), një fshat shqipfolës ortodoks në jug të Paramithisë.
Sulioti Marko Boçari, nuk ishte vetëm një nga heronjtë shqiptarë më i rëndësishëm të revolucionit grek të vitit 1821, i njohur për aftësitë ushtarake dhe guximin e tij, por edhe për dëshirën e madhe për shkrimin dhe edukimin. Markoja bashkë me Odise Andrueon dhe Gjeorgjio Karaiskaqin u edukuan në oborrin e Ali Pash Tepelenës, në artin ushtarak, politik dhe zgjuarsisë. Markoja ndihmoi Ali Pash Tepelenën në rrethimin e Janinës prej turqve dhe mandej, pas rënies së Ali Pashait, vazhdoi betejat e tij në Rumeli me qendër Mesollogjin.
Ëndrra e Markos ishte që të edukonte suliotet shqiptarë që të dilnin nga gjendja e luftëtarit të pamësuar që luftonte pandërprerë, pa një të ardhme, të jetojë paqësisht në një shoqëri të lirë e të drejtë. ”Dua të shkollohesh, – i shkruante në letër, djalit të tij, Dhimitrit, që gjendej në Ankona të Italisë, – por veç kësaj dua të brumosesh me traditat suliote, të mbetesh përherë suliot siç ka mbetur tata i yt”. Dhe arvanitët e dëshironin edukimin arsimor, por pa rrezikun e tjetërsimit dhe bjerrjes së vlerave tradicionale vetjake e të bashkësisë. Kësaj ia kishte frikën dhe këtë i theksonte djalit të vet, Marko Boçari.
Kur gjendej i internuar në Korfuz, Markoja mësoi greqishten dhe bëri të famshmin ”Fjalorin dygjuhësh të greqishtes popullore dhe arvanitases së thjeshët”. Fjalorin e shkruajti Marko vetë, me ndihmën e të atit, Kiço Bocari (1754-1813), xhaxhait Noti Boçari (1759-1841) dhe vjehrrit, Kristaq Kallogjeri nga Preveza. Fjalori u botua në vitin 1809.
Suli sipas historisë
Sipas të dhënave banorët e parë që u ngulën në Sul ishin ushtarët e Skënderbeut. Mbas vdekjes se Gjergj Kastriotit, rreth 200 luftëtarë arvanitë (shqiptarë) me familjet e tyre, si fisi Boçari, Xhavellasit etj, formuan krahinën e Sulit dhe luftonin kundra turqve për lirinë e gjuhës dhe të drejtën fetare. Më vonë Suli u zgjerua si krahinë dhe u popullua nga shqiptarë ortodoksë çamë, që për t’i shpëtuar skllavërisë osmane turke, u shpërngulën nga fshatrat e tyre të Çamërisë rreth viteve 1 500 dhe u vendosën në Sul të Janinës, ku krijuan fshatra të rinj me emra shqiptarë. Anglezi V.M. Lik thotë se ”suliotet janë një farë e Çamërisë, njëra prej katër degëve të Shqipërisë”. Ndërsa studiuesi Ciapolini, shkruan se ”suliotët nuk dinin fare greqisht, gjuha që ata përdornin është, shqipja e dialektit të Çamërisë”. Një pjesë e popullatës së Sulit, pasi iu nënshtruan Ali Pash Tepelenës u dërguan për dënim në ishullin e Korfuzit dhe ishujt e tjerë për rreth.
Ndërsa mbas vdekjes së Ali Pash Tepelenës, shumica e popullatës së krahinës sw Sulit, për t’iu shpëtuar ndjekjeve nga turqit morën drejtimin për në malin e shenjtë të Tomorrit, duke u vendosur afër qytetit të sotëm të Gramshit dhe formuan krahinën e Sulovës, me fshatrat, Shën Mëri, Shën Mitri, Dardzezë, Sulki, Dushk, Kushov, Janë, Tunjë etj.
Këngë për Marko Boçarin, mbledhur në fshatin Vuno të Himarës:
Kapetanët e Moresë
Qenë lidhë besa me besë
T’i hidhen Tumbeqesë.
Do shohmë kush do qërdhesë.
Pall’ e Markos do presë,
Dhe pall’ e Markos preu
Brënda në taborr këceu
Nobeçitë ç’i gënjeu
Treqint kokë vrau e preu.
Medet, o shokë, medet,
Shkon Markua si tërmet,
Pashanë kërkon e s’flet,
Ndë çadër nuk e gjet,
Zu prej mjekre nji lanet.
– Aman’ mor cili je ti?
– Derr’ i derrit nuk e di,
Jam Marko Boçari.
Derri Turk vuri një thirrmë:
– O Turq, në besoni Dinë,
Se kaurrët më mbinë
Një Arab me karabinë
Goditi barakn’ e mirë,
Marko Boçarin shainë.
Mesollongj andaj të thonë:
Çë bërë Marko Sulotnë,
Që s’ del me si kish zakonë.