“Nëse i tregon erës sekretet e tua, nuk mund të pretendosh që era të mos ua tregojë pemëve”.
Khalil Gibrani (1883-1931), i vlerësuar si një nga tre poetët më të mirë në botë, pas Shekspirit dhe Loazit, vijon të mbetet një margaritar i çmuar i zemrave të pastra poetike që flasin për dashurinë, jetën dhe mirësjelljen. Poeti, shkrimtari dhe piktori libano-amerikan, në botën arabe njihet si rebel letrar dhe poltik. Stili i tij romantik ishte zemra e rilindjes në letërsinë moderne arabe, sidomos proza poetike. “Profeti” ishte libri që i dha famë në botën anglishtfolëse. Drejtpeshimi i ngushtë i intimitetit dhe pavarësisë bëri që piktori, poeti dhe filozofi i madh libano-amerikan, Kahlil Gibran të hulumtojë me një mendjemprehtësi të pazakontë dhe saktësi poetike pasazhe të tëra në kreveprën “Profeti”.
“Ky libër ka një mënyrë të foluri me njerëzit në faza të ndryshme të jetës së tyre. Ka atë aftësi magjike, që sa më shumë e lexoni, aq më shumë arrini t’i kuptoni fjalët”, – shprehet Laurie Sue.
Edhe pse e konsideronte veten kryesisht si piktor, pjesën më të madhe të jetës e jetoi në Shtetet e Bashkuara dhe veprat e tij më të njohura i shkroi në anglisht, Kahlil Gibrani ishte figura kryesore e lëvizjes romantike që transformoi literaturën arabe në gjysmën e parë të shekullit të njëzet. Pikturoi më shumë se 700 tablo, akuarel dhe vizatime, mirëpo pas vdekjes shumica e pikturave u dërguan në Liban, kësisoj mbetën nën mbikëqyrjen e atdheut.
Edukuar në Bejrut, Boston dhe Paris, Gibrani u ndikua nga modernistët evropianë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij të hershme ishin skica, tregime të shkurtra, prozë poetike, të shkruara në gjuhë të thjeshtë për gazetat arabe në Shtetet e Bashkuara, shkrime që flisnin për përvojat dhe vetminë e emigrantëve të Lindjes së Mesme në Botën e Re. Për lexuesit arabë të mësuar me traditën e pasur, por të vështirë dhe të ngurtë të poezisë arabe dhe prozës letrare, stili i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë i Gibranit ishte një zbulesë dhe një frymëzim. Temat e tij të tjetërsimit, përçarjes, si dhe bukurisë së humbur rurale, apo sigurisë në botën moderne, ishin tërheqëse për lexuesin. Shumë shpejt gjeti admirues dhe imitues mes shkrimtarëve arabë dhe reputacioni që fitoi si një figurë qendrore e modernizmit letrar arab kurrë nuk është sfiduar. Nga ana tjetër, reputacioni i Gibranit në botën anglishtfolëse ka qenë e përzier. Veprat e tij kanë qenë jashtëzakonisht popullore, duke e bërë atë poetin më të shitur amerikan të shekullit të njëzet, por ky entuziazëm nuk është ndarë nga kritikët.
Pikturat dhe vizatimet e sinqerta, të idealizuara, i përkisnin simbolizmit dhe rilindjes, kështu që konsideroheshin si mbijetesë e një tradite të refuzuar nga realistët amerikanë dhe nga abstraksionistët evropianë. Po ashtu edhe librat në anglisht, më së shumti “Profeti” (1923), nuk gjetën asnjë përkrahje nga kritikët. Si rezultat, Gibrani u shpërfill si një sentimentalist popullor nga kritikët dhe historianët amerikanë të artit dhe të letërsisë. Megjithatë, veprat e tij lexohen gjerësisht dhe konsiderohen si literaturë serioze. Bukuria e pazakontë e gjuhës së tij dhe zelli moral i ideve që ai përçon e lejojnë të komunikojë me një audiencë të gjerë, gjë të cilën e kanë vetëm një pjesë e poetëve amerikanë të shekullit të njëzet. Popullariteti i vazhdueshëm i Gibranit si shkrimtar dëshmon për fuqinë e qëndrueshme të traditës romantike. “Profeti” është përkthyer në më shumë se 40 gjuhë, përshtatur edhe në kinematografi.
Krijimtaria letrare dhe artistike e Gibranit është e ndikuar kryesisht nga Bibla, Friedrih Niçe dhe Uilljam Blejk. Shkrimet e tij në të dyja gjuhët, të cilat trajtojnë tema të dashurisë, vdekjes, natyrës dhe atdhedashurisë, janë plot me shpërthime lirike dhe shprehin natyrën e thellë fetare dhe mistike të Gibranit. Përveç takimit të Lindjes dhe Perëndimit, ky poet mishëron mbi të gjitha pamëshirshmërinë e një njeriu për të jetuar. Bukuria, ngjyrat dhe vrazhdësia e terrenit të vendlindjes së Libanit gdhendën në zemrën e Gibranit dashurinë për natyrë që nuk u venit kurrë. Ai e konsideronte botën natyrore si një qenie të gjallë: “Nëse i këndon bukurisë kur je vetëm në shkretëtirë, do të kesh një audiencë”. Pikërisht me botën natyrore duhet të jemi gjithmonë të lidhur.
Disa aforizma:
Privilegji i të mëdhenjve është t’i shohin fatkeqësitë nga një verandë.
Kam njohur detin, duke medituar mbi një pikë vese.
E keqja që të bëjnë të tjerët harrohet më lehtë se e keqja që u bën të tjerëve. Nëse dikush të lëndon, me kohë plaga do të shërohet, por kur ti lëndon dikë, do ta mbash mend gjithmonë.
Për të kuptuar zemrën dhe mendjen e një personi, mos shiko vetëm çfarë ka arritur, shiko edhe se çfarë qëllimesh ka ai. Beso tek ëndrrat, aty gjendet porta e fshehur e përjetësisë.
Nuk ekziston e vërteta absolute. Mos thuaj se ke gjetur të vërtetën, por se ke zbuluar një të vërtetë. Unë nuk e di të vërtetën absolute, por jam i përulur përpara injorancës sime dhe aty qëndron nderi dhe vlerësimi im.
Gjërat e thjeshta në jetë janë ato më të jashtëzakonshmet. Në ëmbëlsinë e miqësisë, gjendet e qeshura dhe ndarja e kënaqësisë.
Bukuria e vërtetë vjen nga brenda. Bukuria nuk është te fytyra, bukuria është një dritë në zemër.
Pamja e gjërave ndryshon sipas emocioneve. Ne shohim gjëra të bukura dhe të magjishme te to, kur në fakt magjia dhe e bukura janë brenda nesh.