MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Meta-Hajdari, dy akte paralele!

24.03.2019 - 02:39

Së fundmi, jeta politike dhe sociale e vendit u dominua nga dy ngjarje:

-Bashkimi i fermerëve, blektorëve shqiptarë, prodhuesve të qumështit, në një qytezë të zonës së Lushnjes, të cilët derdhnin prodhimin e tyre të qumështit, si një simbolikë për shkak të një mase qeverisëse që i defavorizon;

-Dhe nga ana tjetër një fjalim i presidentit Meta në Pogradec, i cili, me tone dramatike foli për rrezikun e rënies së Shqipërisë në një juntë ushtarake.

Midis dy prej këtyre situatave, mund të kishim shpallur si më të rëndësishme automatikisht atë të parën.

Arsyeja do të ishte sepse, po shihet që si pasojë e problemeve të qeverisjes, e një barre fiskale të shpërndarë padrejtësisht, jo të ekuilibruar, grupe sociale-profesionale, po organizohen, po zgjedhin format moderne, europiane, të protestës dhe po e shpërfaqin në mënyrë të organizuar duke krijuar grumbullime nga rrethe të ndryshme të cilat e rrisin ngarkesën e tyre simbolike për shkak të formës së tubimit që ata zgjedhin.

Por, mediat, veç atyre vendase dhe ata ndërkombëtare i dhanë rëndësi protestës së presidentit, e cila në shumë kuptime është diçka unike, e paparë, duke qenë se nuk ndodh shpesh, apo edhe ndër vite, që një president të akuzojë shumicën qeverisëse, se po e çon vendin drejt një junte ushtarake.

Mediat ndërkombëtare i dhanë hapësirë kësaj ‘proteste’ të presidentit e cila, megjithatë, kishte disa mesazhe të cilat ngjajnë ‘gola’ dhe disa të tjerë, si ‘autogola’.

Së pari, shembulli i zgjedhur nga presidenti ishte i tillë, i cili në një farë mënyre vinte në kontrast me atë që është trashëgimia amerikane e ndërhyrjes në pjesë të caktuara të globit, posaçërisht në Kili.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ishin në krah të Salvador Allendes, por në krahun tjetër, pra kundër.

Kështu, Meta zgjodhi që të ishte Salvator Allende, kundër Amerikës.

Ndoshta, ky mund të ishte një nga sugjerimet e gabuar të këshilltarëve të z. Meta. Do të duhej që këtë moment ‘dramatik’ të vetëvrasjes, i cili krijonte simpati popullore të mos e kundërvinte krahas një shembulli që e shfaqte atë në një rol vetmitar, kundër kahut tjetër (i cili mbështetet nga SHBA).

Një kundërvënie tjetër kjo, ndaj SHBA-ve, në lidhje me zhvillimet në Shqipëri, tashmë jo për ato në glob, u shpërfaq edhe në gjykimin që ka presidenti dhe atë që SHBA-të kanë për Parlamentin shqiptar.

Nëse dy ditë më parë SHBA-të, përmes Ambasadës e bënë të qartë, që në Parlament ka deputetë, janë ata që i kanë dorëzuar mandatet dhe ata që po vazhdojnë: ata që kanë ikur duhet të lënë të qetë ata që janë brenda Parlamentit.

Pra, duke lënë për të kuptuar kështu, se numri i deputetëve është më shumë se sa 85.

Presidenti Meta tha se sipas tij janë vetëm 85.

Në intervistën e tij në Pogradec, z. Meta tha diçka, e cila tingëlloi si një lloj paradoksi, sepse ndërkohë që përmendi faktin se vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, shprehu në mënyrë kategorike në konsideratë kushtetuese, kur shtoi që problemi i mbushjes së Parlamentit me deputetët vijues të listës është kushtetues dhe një akt pa legjitimitet kushtetues.

Në fakt, këtu është një çështje e cila ka krijuar kundërvënie nëse bën analizën e intervistës së presidentit pasi teksa z. Meta fokusohet tek numrat në Parlament, ka lënë të kuptohet, sipas Bushatit se hapësira dhe kompromiset midis opozitës dhe shumicës ekziston pikërisht tek mospranimi. Ky është kuptimi i tërheqjes një hap mbrapa, mospranimi i deputetëve të rinj, dhe mundësia për rikthimin e opozitës në Parlament, e cila mund të ndërmjetësohet nga Meta.

-Mirëpo, këtu jemi te një pikëpyetje, një e pathënë e asaj interviste të presidentit.

Meta thotë që është i gatshëm të bëjë një sacrifice.

Por, para se të shkosh te sakrifica: edhe sikur të mos biesh dakord me dramaticitetin e situatës në Shqipëri, për kontrollin e gjithë pushteteve nga dora e kryeministrit Rama;

(një term si ai i juntës i cili nuk është përdorur as nga opozita, kemi gjithashtu një moment të pathënë në këtë deklaratë të Metës.)

-Cilat kanë qenë hapat që ka bërë presidenti për të pajtuar, apo për tu ngritur mbi palët, për ta zgjidhur me dialog çështjen, ndonëse ai tha se unë kam bërë gjithçka është e mundur.

Pra, nëse ai ka hedhur gjithë këto hapa, e mbyllur, ska më hapësirë për dialog?

-Edhe kjo është një pyetje e cila nuk mori përgjigje nga intervista e presidentit.

Në një tjetër kuptim, kjo intervistë ishte një lloj rezonimi, ose rënie e presidentit Meta në të njëjtin nivel me opozitën.

Dorëheqja, pavarësisht se bëhet në shërbim të dialogut, është gjithashtu një dorëzim mandati.

Por, a ka dorëzim, apo a shkarkim, kjo është diçka tjetër të cilën pritet që ta shohim më pas, ndonëse, mundet që të mos ketë asnjë përpjekje të qeverisë për ta shkarkuar presidentin, sepse kjo me të vërtetë do të thoshte që qeveria të tentonte të merrte të gjithë pushtetet në një dorë, pra edhe atë presidencial.

Ndërkohë, që qenia e presidentit Meta në krye të presidencës, me pozicione kaq të ndryshme nga të shumicës është ilustrim i asaj që Shqipëria megjithatë, ka një lloj pluraliteti apo shumësie institucionale, që nuk e barazon atë me juntën.

Ngjarja më e rëndësishme do të duhej të ishte protesta e blektorëve, dhe jo ajo e presidentit, mirëpo mediat zgjedhin prioritetet e tyre tematike, sipas mënyrës së tyre.

Ndërkohë, në Parlament u shfaq Rudina Hajdari, vajza ish-liderit historik të Partisë Demokratike, z. Hajdari.

Një fjalim, i pari serioz i saj, lidhur me mesazhet që e kapërcente figurën e një deputeteje vetmitare, e dalë jashtë tufës, e cila do të duhet të ngjante e vogël në këtë rol, përkundrazi, Rudina Hajdari foli seriozisht.

Edhe simulimi i arrogancës prej saj, ndonëse nuk ishte në tonet e ngjashme me atë të daljeve të babait të saj, prapë se prapë ishte një seriozitet i cili ngjante i pranueshëm.

Një fjalim, i cili la të kuptonte se znj. Hajdari rezononte me studentët dhe protestën e tyre, e identifikonte veten me të dhe jo me Partinë Demokratike, për të cilën nuk foli thuajse fare, duke e emëruar atë.

Ajo foli në mënyrë kritike për aksionin e opozitës, për rrezikun e destabilitetit, dhe atë të faktorëve të huaj të cilët gjejnë hapësirë prej destabilitetit që vjen prej dorëzimit të mandateve për çështje pushteti.

Nuk pati asnjë kompleks për të kritikuar këtë veprim, ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Njëlloj, ishte kritike serioze ndaj qeverisë:

-Kur foli për problemet e mëdha që i janë krijuar vendit në pikëpamjet e zhvillimit ekonomik, si dhe legjitimitetit të qeverisjes, e cila është ndërtuar mbi votën e 23% të votuesve.

-Kur foli se kjo është një qeveri e cila nuk po përmbush pritshmëritë, as të votuesve të saj;

-Kur foli për korrupsionin, krimin e organizuar, një gjuhë e cila përdoret kryesisht në dokumentet ndërkombëtare, në raportet e Departamentit të Shtetit të cilit ajo iu referua, raportet e Bashkimit Evropian.

Duket qartë, se ky ishte një fjalim i asistuar pikërisht nga këto dy përfaqësi, ajo amerikane dhe ajo e BE-së.

Ajo çfarë u shfaq surprizë në këtë fjalim, ishte se znj, Hajdari tha se shumë shpejt do të vinte me një platformë propozimesh konkrete, për të realizuar ballafaqimin e saj me historinë.

Një hap pjekurie nga një vajzë, e cila nga kritikët më të butë të saj është etiketuar si e bija e babait, një njeri e cila nuk ka asnjë meritë profesionale por mban këtë pozicion vetëm për shkak të mbiemrit të saj.

Kjo është përpjekje për të minimizuar kontributin që mund të sjellë, një brez si ai i studentëve që kanë mbaruar studimet e tyre jashtë vendit, në Universitete të mira, dhe që duan përfaqësim politik, duan prani në politikën e lartë, por që pikërisht për shkak të këtyre paragjykimeve nuk e gjejnë atë.

Mbiemri mund të ndihmojë, por sigurisht nuk të çon larg, dhe ky fjalim la të kuptohej se znj. Hajdari do që të shkojë larg.

Me video:

"E ëma e Kastriotit shkoi në Greqi një javë më parë, sa vajti ajo…"

Misteri rreth vrasjes së Alba Cenkos! Flasin fqinjët e çiftit

Pritet të zbardhen skemat dhe krimet e bandave kriminale, mes tyre dhe shqiptarë

Përgjimet në “Sky ECC”/ EUROPOL i dorëzon Greqisë 4500 dosje!

Kreu i PD-së: Do të jetë dita e mosbindjes civile më të fuqishme!

Sali Berisha zbulon datën e protestës së radhës!