Prokuroria maqedonase njoftoi të hënën se janë lëshuar dy urdhër-arreste ndërkombëtare për ish-kryeministrin Nikola Gruevski dhe një ish-agjent të sigurimit në Maqedoninë e Veriut.
Urdhër-arrestet janë lëshuar me rastin e ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit në parlament. Ky është urdhri i dytë që lëshohet ndaj ish-kryeministrit Gruevski, pas atij të lëshuar në muajin nëntor për akuzën e shpërdorimit të fondeve publike, pas arratisjes së tij drejt Hungarisë.
Prokurorët maqedonas kanë kërkuar zyrtarisht lëshimin e fletë-arresteve ndërkombëtare për ish-kryeministrin Nikola Gruevski dhe një ish-agjent të Sigurimit të dyshuar për ngjarjet në parlament në prill të vitit 2017.
Prokuroria për krimin e organizuar dhe korrupsionin deklaroi se ndaj dy ish-zyrtarëve është dorëzuar paraprakisht masa e paraburgimit prej 30 ditësh pranë Ministrisë së Brendshme.
Gruevski prej muajsh jeton në arrati, ndërsa ish-pjesëtari i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Nikola Boshkovski, është larguar drejt Greqisë disa muaj më parë. Të dy përballeshin më herët me akuzën e përgjimit të më shumë se 20 mijë shtetasve apo zyrtarëve maqedonas, skandal i cili nxiti edhe dorëheqjen e Gruevskit në vitin 2016.
Në radarin e prokurorisë maqedonase janë kapur edhe ish-kreu i Kuvendit, Trajko Veljanovski, së bashku me dy ish-Ministra të tjerë, po ashtu të akuzuar për dhunën në parlament në vitin 2017.