Në prag të sezonit turistik në Gjirin e Lalëzit ka përfunduar investimi prej 10 milionë eurosh për ndërtimin e nenstacionit të ri elektrik. Në rrjetin elektrik të zonës nuk ishte ndërhyre që prej vitit 1967 dhe tashme e gjithë zona e bregdetit nuk do të ketë probleme me energjinë elektrike.
Kryeministri Rama nënvizoi se rritja turistike e zonës, ku vetëm para pak ditësh u firmos një kontratë për 2 hotele me 5 yje, e bënte të domosdoshme një investim të tillë.
“Është zonë me shumë perspektivë zhvillimi turistik dhe sidomos ndërtimi i hoteleve të reja, me gjithë ato kapacitete e nevoja, e bën domosdoshmëri që të ketë furnizim normal me energji”
Ndërsa drejtori i Operatorit të Shpërndarjes, Ardian Çela, tha se ka nisur faza e dytë e investimit, për ndërtimin e 3 fiderave të parë të rrjetit shpërndarës 20 KV, me kabina dhe rrjet të ri për mbulimin e gjithë zonës bregdetare të Gjirit të Lalzit.
“Duke pasur parasysh zhvillimin në këtë zonë, kemi nisur me nënstacionin që është 460 milionë lekë (të reja), investim i OSHEE-së. OST-ja do vijë me linjën e tensionit të lartë 110 kë. Nga ky moment, ne kemi nisur 3 fiderat e parë. Janë 8 fidera të tjera që do mbulohet kjo zonë, Maminas, Sallmone, Hamallaj, Gjiri i Lalzit, Ishëm, Kepi i Rodonit. Mbulon për vitet e ardhshme të gjithë zhvillimin turistik të kësaj zone. Është një investim që shkon në 10 milionë euro. Sezonin e ardhshëm turistik kjo zonë nuk ka më problematikë” , tha Çela.