MENU
klinika

Të dhënat

Ndryshime në Skemën e Ndihmës Ekonomike?

30.03.2019 - 09:14

Qeveria ka hedhur së fundmi një projektligj për sa i përket ndihmës ekonomike.

Ky projektligj synon të rregullojë mënyrën e dhënies së ndihmës ekonomike, pagesave të aftësisë së kufizuar dhe bonuesit të bebeve.

Cili është qëllimi i këtij projektligji?

-Projektligji “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, ka si qëllim të përmirësojë skemën e ndihmës ekonomike, duke thjeshtuar procedurat e panevojshme për përfitimin e saj, si dhe të integrojë në tregun e punës personat me ndihmë ekonomike por që janë në kushte të favorshme për të punuar.

-Kujtojmë që për personat që janë në kushte të favorshme për të punuar, por refuzojnë ofertat e zyrave të punësimit, janë shtrënguar masat.

Çfarë është Skema e Ndihmës Ekonomike?

-Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Skema e Ndihmës Ekonomike është shtylla kryesore e programit të mbrojtjes sociale.

-Kjo skemë synon zbutjen dhe lehtësimin e varfërisë.

-Siguron pagesa dhe mbështetje për familjet dhe individët më në nevojë për të dalë nga varfëria dhe për të gjetur mundësitë e riintegrimit social dhe ekonomik.

Kujtojmë që skema e ndihmës ekonomike hasi në probleme përsa i përket transparencës dhe mospublikimit të përfitimit.

Kjo bëri që qeveria të hedhë për konsultim këtë projektligj.

Gjithashtu ndihma ekonomike nuk mund të përfitohet për një periudhë kohore më të gjatë se 5 vjet.

Në një vendim të Këshillit të Ministrave të datës 7 dhjetor 2016, përcaktoheshin edhe kriteret e reja dhe kategoritë që kanë të drejtë të përfitojnë ndihmën ekonomike.

Në këtë VKM thuhet:

Ndihma ekonomike, për familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme, është një pagesë që jepet në formën e një shpërblimi mujor në lekë, e cila kufizohet në kohë, për një periudhë jo më shumë se 5 vjet”.

Sipas kësaj VKM, nga ky rregull bëjnë përjashtim vetëm familjet, anëtarët e së cilës janë mbi moshë pune si dhe ato familje me kryefamiljare gra, me të paktën një fëmijë që ndjek arsimin bazë.