Volodymyr Zelenskiy, është komedian ukrainas i cili ka vendosur të kandidojë për president të Ukrainës, dhe siç duket deri tani, mund të jetë fituesi i zgjedhjeve.
Analistët politikë e vlerësojnë Zelenskiyn si një person që nuk ka një bagazh politik, por i dashur nga njerëzit. Ai ka filluar një fushatë kreative, dhe e thotë atë që e mendon, nuk ngurron.
“Kjo është një fytyrë e re. Nuk kam qenë asnjëherë pjesë e politikës, vij nga punë të pastra, televizioni dhe kinemaja. Mendoj se njerëzit më njohin shumë mirë dhe mund të identifikohen me mua”, ka thënë Zelenskiy.
Zelenskiy nuk ka përvojë politike, por ai premton të bëjë Ukrainën pjesë të Evropës, të luftojë korrupsionin e politikës ukrainase dhe të merret me Putinin në Krime dhe Ukrainën Lindore.
Vladimir Zelensky lindi më 25 janar 1978 në qytetin Krijov Rog në Ukrainë. Fëmijëria e tij ngjason me fëmijërinë e shumë djemve të tjerë. E vetmja gjë ndryshe, ishte që Vladimir kishte fatin të vizitonte Mongolinë, qytetin Erdenet dhe të jetonte atje për 4 vjet, gjë që ndikoi shumë tek ai.
Që në shkollë e kishte planifikuar të ardhmen, do të bëhej diplomat. Megjithatë ai vendosi të bëhej student i Institutit Ekonomik të Krijov Rog. Vitet e jetës studentore mund të quhet trampolinë nga e cila Vladimir u fut në botën e artit, duke krijuar miniaturat “Homeless” dhe duke marrë pjesë në ekipin e KVN “Zaporozhye, Krijov Rog-Transit”.
Në 1997 ai themeloi “95 quarter” me miqtë e tij, dhe prodhoi 10 filma dhe disa shfaqje televizive, përfshirë “Matchmakers” dhe “Servants of The people”. Madje në këtë serial, ai e luan rolin e një mësuesi i cili papritur bëhet president i Ukrainës, sepse ishte një person anti-korrupsion. Por siç po duket programi televiziv ngadalë e ngadalë po bëhet realitet.
Komedia në fakt ka marrë vlerësime pozitive, duke i dhënë popullaritet të madh aktorit, aq sa tashmë duket se po bëhet realitet pasi popullariteti i fituar nga komedia, mund të konvertohet në një mbështetje reale me votë nga popullata.
Kandidati i tanishëm presidencial dikur fitoi konkursin “Dance with the Stars”, u njoh si ukrainasi më i bukur nga versioni i revistës Viva, dhe më shumë se një herë fitoi çmimin ukrainas “Triumph”.