MENU
klinika

Takim me studentët ekselentë

Ngërçi në ‘Paktin e universitetit’/ Rama: Faji i pedagogëve dhe drejtuesve

12.03.2019 - 16:46

Kryeministri Rama zhvilloi një takim me 370 studentët ekselentë të punësuar në administratë.

Sipas kryeministrit Rama, pakti për universitetin është në ngërç dhe për këtë ai fajësoji pedagogët dhe drejtuesit e universiteteve. Sipas tij, pedagogët e kanë bllokuar procesin, dhe shkak sipas tij është frika nga vettingu.

Kreu i qeverisë kërkoi sërisht angazhimin e studentëve që ky pakt të zbatohet sipas afateve të paracaktuara.

“Vlerësimi i titujve akademikë të pedagogëve, tregtia e librave të pedagogëve, vlerësimi i perfomancës së pedagogëve nga studentët dhe kemi ngecur sepse pedagogët një pjesë e tyre nuk i duan, dhe drejtuesit në një pjesë të tyre nuk i duan. 

Ka njerëz të paaftë, ka njerëz në vendin e gabuar, do ti pastrojmë zyrat pak nga pak por me vendosmëri dhe në mënyrë sistematike nga injorantët. Ju po hyni në administratë që administrata të bëhet si ju, jo që ju të bëheni si administrata.”, u shpreh Rama.

Pas protestave të studentëve, kryeministri mori angazhimin dhe hapi thirrje për 800 studentët më të mirë të punësohen në administratë si dëshmi e gadishmërisë për të bërë më shumë se kërkesat e studentëve.