Ora 16:09/ Protesta e opozitës/ Rama: Pika që s’ju bie
Kryeministri Edi Rama, reagoi në Twitter pas përfundimit të protestës së opozitës, e cila kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Ai shprehet se opozita bën politikë duke sajuar kriza për vendin dhe sëmundje për kundërshtarin politik.
“Po boll o boll, boll se s’kam asgjë tjetër përveç larjes së jashtënxjerrjeve tuaja nēpër botë boll! Opozitë e katandisur në një tufë qorre që mësyn fizikisht rrugëve dhe bën politikë duke sajuar kriza për vendin e sëmundje për kundërshtarin! O pika që s’ju bie kur thonë plakat”, shkruan Rama.
Ora 15:32/ Basha në Twitter: PD luftë për vlerat evropiane në Shqipëri
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi pas vizitës së tij në Bruksel.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, Basha u shpreh se PD po lufton për vlera evropiane në Shqipëri duke pasur sipas tij, edhe mbështetjen e PPE.
Postimi i Bashës:
“Presidenti i PPE Joseph Daul në emër të të gjithëve deklaroi qartë se “ne nuk mund të bëjmë kompromise me demokracinë, shtetin ligjor dhe lirinë e medias.” PD po lufton për të njëjtat vlera europiane në Shqipëri dhe në këtë betejë kemi mbeshtetjen e PPE, familjes sonë politike”, shkruan Basha.
Ora 15:17/ 5 orë para Kuvendit dhe Drejtorisë së Policisë, opozita mbyll protestën
Ditën e sotme, opozita zhvilloi protestën e gjashtë pas asaj të 16-Shkurtit, e cila shënoi sot edhe me nisjen e seancës së Kuvendit.
Protesta u zhvillua jashtë godinës së Parlamentit për tre orë e 30 minuta, ndërsa më pas protestuesit u zhvendosën drejt ambienteve të Policisë së Tiranës për tu solidarizuar me protestuesit e shoqëruar nga policia.
Gjatë protestës te Parlamenti u dëgjuan thirrje kundër qeverisë. Protestuesit tentuan të çajnë tre herë kordonin e policisë dhe ia dolën në tentativën e katërt. Megjithatë policia arriti ta neutralizonte shpejt situatën.
Sipas detajeve të paraqitura, ata të cilët u konfrontuan fillimisht me Policinë kanë qenë protestuesit e Unazës së Re.
Që në nisje, ata hodhën shashka, tymuese dhe bidona uji në drejtim të policisë. U raportua për dy policë të lënduar nga shashkat.
Ndërkohë, pas 5 orësh, PD tashmë ka mbyllur protestën, në mungesë të kreut të saj, Lulzim Basha.
Protesta u mbyll me fjalën e nënkryetarit të PD-së, Edi Paloka, i cili ndau me simpatizantët dhe protestuesit, mesazhin e Bashës nga Brukseli.
“Edhe njëherë doja t’ju përshëndes dhe t’ju falënderoj, për sot për të arritur nesër në fitoren e sigurtë. Dua t’ju përshëndes edhe në emër të zotit Basha, i cili vazhon takimet në Bruskel që janë pjesë të fitores që na pret.”- thuhet në mesazhin e Bashës.
Ora 14:35/ Protesta para Drejtorisë së Policisë, Lleshaj ftesë qytetarëve
Teksa protesta e opozitës është zhvendosur drejt Drejtorisë së Policisë, ministri Lleshaj ka dalë me një reagim të fundit.
Përmes një postimi në Twitter, ministri Lleshaj akuzon se;
“protestat e verbra që godasin deputetë, institucione dhe policë, sjellin vetëm një rezultat. Ato pengojnë shumë policë që të merren me detyrën e tyre kryesore, që është lufta kundër krimit”.
Reagimi i Lleshajt:
Protestat e verbra që godasin deputetë, institucione dhe policë, sjellin vetëm një rezultat. Ato pengojnë shumë policë që të merren me detyrën e tyre kryesore, që është lufta kundër krimit.
Ftoj qytetarët që të mbështesin Policinë e Shtetit në luftën e përbashkët kundër krimit për një Shqipëri normale.
Mirënjohje për dinjitetin dhe përkushtimin e punonjësve të PSH
Ora 14:07/ Basha tjetër reagim: Qytetarët kundër Maduros së Ballkanit
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili mungoi në protestën e gjashtë të opozitës për shkak se ndodhej në Bruksel, duket se e ndjek në distancë situatën.
Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, Basha thekson se qytetarët janë ngritur në protestë kundër Maduros së Ballkanit.
Basha shprehet se sovrani në Republikën e Shqipërisë është populli shqiptar.
“Drejt Drejtorisë së Policisë për të liruar qytetarët që janë ngritur kundër Maduros së Ballkanit! Sovrani në Republikën e Shqipërisë është populli shqiptar. #shqiperiasieuropa”, shkruan Basha.
Ora 13:51/ Zhvendoset protesta drejt Drejtorisë së Policisë
Protesta opozitës që prej mëngjesit vijon ende.
Mësohet se nga Parlamenti, protestuesit dhe ish-deputetët janë zhvendosur drejt Drejtorisë së Policisë.
Sipas tyre në drejori ndodhen disa protestues të cilët janë arrestuar.
Protestuesit dhe ish-deputetët po shkojnë për të kërkuar lirimin e tyre.
Ndërkohë përballë Drejtorisë së Policisë jnë vënë në kordon efektivë policie për të mos lejuar hyrjen e protestuesve në ambjentet e brendshme.
Ora 12:59/ Ç’po ndodh? Pas përplasjes me policinë, protestuesit marrin vendimin e radhës
Protesta e opozitës para Parlametit vijon paralelisht me seancën parlamentare.
Protestuesit kanë tentuar disa herë të thyejnë kordonin e policisë. Pas tentativës së katërt ata kanë arritur të thyejnë kordonin.
Pas konfrontimeve me policinë protestuesit kanë marrë vendimin e rradhës.
Protestuesit dhe ish-deputetët ulen ‘këmbëkryq’ para Kuvendit.
Me anë të këtij vendimi protetuesit kanë përcjellë mesazhi se nuk do të largohen.
Ora 12:10/ Protesta opozitës/ Çahet kordoni i policisë, lëndohen 2 policë
Protestuesit kanë arritur të çajnë kordonin e policisë përballë Kuvendit të Shqipërisë.
Në përballje me policinë janë proteestuesit e Unazës së Re, të cilët arritën edhe të çanin kordonin.
Mësohet se si pasojë e përplasjes është lënduar dy efektivë policie.
Ndërkohë sipas raportimeve policia po bën gati ndërhyrjen me autobote uji.
Protestuesit mbajnë pankarta në duar dhe flamuj kombëtar. Që në nisje u hodhën e shashka, tymuese dhe bidona uji në drejtim të policisë.
Ora 11:46/ Balla ‘shpërthen’ kundër Bashës: Si huligan në ndeshje futbolli!
Nga foltorja e Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka folur me tone të forta teksa ka bërë me dije se asnjëherë më parë nuk janë goditur deputetë e policë me urdhër të krerëve të partisë.
“Do të doja nga kjo foltore ti drejtohesha personalisht Bashës si nxitësi dhe orkestruesi kryesor i dhunës opozitare sot ne kuvend. Kushdo e mbështet, thjesht vetëm se largon vendin nga Evropa dhe nxoit destabilitetin në vend edhe sot teksa deputete e policë mund të goditen nga urdhrat qorre të Bashës.
Shqiptarët nuk kanë parë kurrë lider të opozitës që të bëjë thirrje për të goditur forcat e rendit, institucionet, që me urdhra të goditen deputete, asnjë herë më parë nuk janë goditur deputete me urdhra të kryetarëve të partive.
Ajo që dua të ndaj me ju sot, Basha po sillet si huligan në ndeshje futbolli, dhe djegia e mandatit po jua them nuk është fare humbje për demokracinë pasi politikanë të papërgjegjshëm si puna e Bashës as nuk e meritojnë besimin e shqiptarëve dhe as të jenë në Kuvend.
Ata që vranë protestuesit para 8 vitesh tani duan të vijnë në fuqi mes forcës e dhunës, janë bërë bashkë, Luli, Saliu, Monika, për të mbrojtur interesat e tyre personale në kurriz të shqiptarëve, akte të tilla dhune nuk kanë asgjë të përbashkët me aspiratat e shqiptarëve”– tha Balla.
Ora 11:35/ Paloka: Rama i ka ditët e numëruara
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka në një prononcim për mediat tha se kriza politike do marrë fund me largimin e Ramës si Kryeministër.
Paloka u shpreh se Rama është në agoninë e tij dhe se fundi po i vjen nga vala popullore që është ngritur kundër këtij pushteti arrogant e kriminal.
“Fundi është vetëm një. Nuk ka kthim. Kjo krizë politike, institucionale, politike ka vetëm një fund, largimin e Ramës nga pushteti dhe nuk ka asgjë tjetër. Akti më ekstrem dhe më i madh, ajo e djegies së mandateve është kryer. Ky pushtet i ka ditët e numëruara.
Këtu nuk ekziston asgjë. Kemi parlament ilegjitim, të mbushur me hajdutë dhe kriminelë brenda. Ka drejtësi pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë dhe ndaj kjo histori nuk mund të vazhdojë. Do të kthehet gjithçka shpejt në makth”, tha Paloka.
Ora 11:13/ Shashka dhe flakadanë, protestuesit përplasen me policinë
Situata në protestën e opozitës është tensionuar. Protestuesit kanë nisur përplasjen me policinë.
Ata kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë dhe të hyjnë brenda ambjenteve të Parlamentit.
Policia ka afruar makinën e policisë dhe ka paralajmëruar protestuesit të distancohen nga dhuna.
Gjithashtu policia ka paralajmëruar se nëse do të ketë akte të dhunshme do të veprojë sipas ligjit.
Nga ana e protestuesve shpesh herë ka pasur hedhje shashkash, flakadanësh apo mjeteve të tjera.
Ora 11:03/ Sulmi me bojë i Ralf Gjonit, Kryemadhi: Rama do që ta bëjë klloun
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar pak pas sulmit me bojë të deputetit Ralf Gjoni. Në një prenoncim për mediat, Kryemadhi në lidhje me rastin fajëson kryeministrit Edi Rama.
Sipas saj, e gjithë ngjarja është një shoë për të larguar vëmendjen nga situate politike.
“Nuk kam dijeni për një gjë të tillë. Regjizori Edi Rama, për të larguar vëmendjen nga çdo gjë, do t’i bëjë edhe kloun deputetet e rinj me idenë që është sulmuar. Më vjen shumë keq për rastin. Legjitimiteti i atij parlementi nuk është më. Megjithatë, problemi nuk qëndron vetëm këtu, por kjo shitblerje e votës ka varfëruar shqiptarët.
Çdo njeri ka hall ose është i papunë ose nuk ka mundësi të paguajë faturat ose i kanë ikur fëmijët nga protesta.”-u shpreh Kryemadhi.
Ora 10:48/ “Keni njerëz me maska”/ Policia apel Gazment Bardhit: Merrni masa…
Protesta e opozitës ka nisur dhe policia vijon me thirrjet për qetësi për protestuesit.
Ndërkohë në turmën e protestuesve janë pikasur persona me maska.
Policia i ka bërë thirrje Gazment Bardhit që të merren masa për largimin e tyre nga tubimi.
“Z.Bardhi, në mes të protestuesve keni njerëz që mbajnë maska. Si organizator i tubimit ju bëjmë thirrje të merrni masa për largimin e tyre nga tubimi“, ishte thirrja e policisë.
Ora 10:30/ Betohen 3 deputetët e rinj, jashtë protestuesit rrethojnë Kuvendin
Nën një situatë të tensionuar jashtë sallës tre deputetë të rinj nga opozita i janë shtuar sot Kuvendit.
Ndërsa jashtë dëgjohen vuvuzelat e thirrjet kundër qeverisë, si dhe hidhen shashka Ralf Gjoni, Nimet Musai dhe Enada Kapllani janë betuar në Kuvend si deputetët më të rinj. Me betimin e tre deputetëve të rinj, në Parlament ka 95 deputetë, 16 vetëm nga opozita.
Pak minuta para se të hynte në sallë, Gjoni përfaqësues i LSI-së u sulmua me një shiringë me bojë jashtë banesës së tij.
Gjoni u shpreh se sulmi ishte porositur nga lart, por se kjo gjë nuk do ta ndalte në qëllimet e tij.
Ora 10:28/ Protesta/ Basha s’është i pranishëm, mesazhi i fortë që nis
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha për shkak të axhendës dhe takimeve të rëndësishme që ka nuk do të jetë sot në protestën e gjashtë të opozitës.
Edhe pse jo i pranishëm, Basha ka nisur një mesazh të rëndësishëm për pjesëmarrësit në protestë.
Ai ka shpërndarë videon e protestës live në Facebook, ku ka dhënë mesazhin e fortë se lufta është për një kauzë të drejtë.
Mesazhi i Bashës:
Ne luftojmë për një kauzë të drejtë, për një qeveri të çliruar nga krimi dhe zgjedhje të lira. Klika e krimit e bërë njësh me qeverinë do të shembet nga themelet! #ShqiperiaSieuropa
Ndërkohë protestuesit janë mbledhur para Kuvendit duke brohoritur ‘Rama ik’.
Ora 10:17/ U sulmua me bojë/ Flet Gjoni: Mund ta merrni me mend kush e bëri!
Pas sulmit me bojë që iu bë sapo doli nga dera e banesës, deputeti i ri i LSI-së, Ralf Gjoni ka reaguar për mediat.
Ai sapo kishte dalë nga banesa dhe ishte nisur drejt Kuvendit të Shqipërisë, ku edhe u betua si deputet.
Në një prononcim për mediat ai tha se ky akt ndaj tij është një sjellje rrugaçërie.
“Sjellje rrugacërie rrugësh, ta dinë se jam këtu dhe nuk frikësohem nga asnjë lloj destabilizimi. Nuk kam ardhur këtu për të marrë një rrogë të qelbur shtetit.
Mund ta merrni me mend më mirë, se kush e ka bërë, kam ardh për të bërë betimin dhe jo lajm të përfaqësoj gjithë ata shqiptarë që sot ndihen të papërfaqësuaur.
Nuk do lejoj që emri im të përdoret në interes të disa rrugecërve“- ka thënë ai para medias.
Ora 10:04/ Nisin përplasjet fizike mes protestuesve dhe policisë
Momente tensioni pranë bulevardit. Banorët e Astirit ndodhen pranë kordonit policor që është vendosur në hyrje të pedonales.
Ne disa momente ka pasur dhe konfrontime fizike.
Banorët e Astirit shoqërohen nga ish-deputeti i PD, Klevis Balliu i cili tha se bllokimi i hyrjes së pedonales nga policia është provokim.
“Kanë të drejtën e vet. Këtu do bëhet protesta. Kjo që po bën ky njeri sot është provokim. Asnjeri nuk do të përplaset me policinë. Pse nuk del këtu ai, pse duhet të përpasen qytetarët me oficierët e policisë. Ku është ai që jep urdhër, nga cila vrimë e miut po flet? Pse nuk del këtu ai? Të dali ai fundrrina këtu e të japë përgjigje pse duhet ndaluar këtu protesta. Këto do bëhet, kush do i ndalë. Ku është ai kapelja, nxjerr cunat e rinj kot”– tha Balliu.
Ora 10:00/Nis protesta e opozitës
Gjatë ditës së sotme pritet të zhvillohet protesta e opozitës paralelisht me seancën parlamentare.
Në seancë pritet të betohen deputetët e rinj që pranuan mandatin.
Vetëm 15 min na ndajnë nga nisja e seancës, ndërkohë që protestuesit kanë nisur të mblidhen para Parlamentit.
Në këto momente ata kanë hapur një banderolë të madhe me mbishkrimin “Qeveri e krimit, qeveri e korrupsionit”.
Kujtojmë që opozita ndryshe nga protestat e tjea këtë herë opozita ka një plan të tjetër.
Plani i ri i opozitës ka për qëllim të paraqesë një Parlament që funksionon vetëm me forcën e blindave dhe dhunën policore kundër protestuesve.
Ora 09:45/ “Tradhtoi” LSI, Ralf Gjoni sulmohet me bojë
Pritet që gjatë ditës së sotme të betohet në Kuvend si deputete, por Ralf Gjoni kandidati më i ri i LSI-së është sulmuar me bojë sapo doli nga dera e banesës së tij.
Një djalë i ri i ka hedhur në fytyrë bojë të kuqe që e kishte në shiringë.
Kandidati i LSI-së sapo kishte dalë nga banesa dhe po drejtohej drejt Kuvendit për të marrë pjesë në seancën plenare.
Sipas Gjonit, gjithçka është e planifikuar, pasi i riu ishte duke e pritur që të dilte.
Gjithashtu Gjoni shprehet se boja nuk i hiqet nga fytyra dhe ka djegie të syve.
Ora 08:42/ Sot protesta, policia rrethon parlamentin
Paralelisht me seancën parlamentare, opozita do mbajë portestën e radhës para Kuvendit të Shqipërisë.
Ndryshe nga herët e tjera mbështetësit e PD dhe LSI u nisën drejt Tiranës me automjetet e tyre personale, që në orët e para të mëngjesit.
Ata kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhje të parakohshme. Protesta është parashikuar të nisë në orën 10:00 ndërkohë policia ka forcuar masat e sigurisë para Parlamentit.
Që në mëngjes policia është vendosur kordon në një perimetër të gjerë rreth parlamentit si dhe ka vendosur gardh prej hekuri.
Një ditë më parë presidenti Ilir Meta deklaroi se ishtë gati të hiqte dorë nga mandati i presidentit për të zgjidhur krizën aktuale politike si dhe të mos lejonte instalimin e një junte ushtarake.