MENU
klinika

Dan Brown shpjegon Teknikumin

“Origjina e species së re”

18.03.2019 - 11:42

Shkruan: Fitore R.

Dan Brown, autori i romaneve të mirënjohura e me famë botërore si Engjëj dhe djaj (2000), Kodi i da Vinçit (2003), Simboli i humbur (2009), Ferri (2013) etj., në vitin 2017 botoi edhe romanin Origjina, i cili në shqip erdhi nga Taqo Trajçe dhe Shtëpia Botuese “Dudaj” në vitin 2018.

Edhe Origjina është e zhanrit triller. Karakteristikë e romaneve të tilla, sipas teoricienit James Patterson është “intensiteti i emocioneve që ata krijojnë, veçanërisht ato të frikës dhe të ngazëllimit, të ngacmimit dhe që të lënë pa frymë, të gjitha të dizajnuara për të gjeneruar atë trill-të-gjithë-rëndësishëm.” Pikërisht në këtë shkëlqen Brown në të gjitha romanet e tij, e po me të njëjtin intensitet edhe te Origjina: në 598 faqet e tij, lexuesi mbahet mjeshtërisht pezull, nuk mund të shkëputet dot nga leximi, për të kuptuar dhe zbërthyer enigmën që e pushton qysh në fillim e të cilat shkojnë duke u shtuar dhe komplikuar.

Me romanin e tij më të ri, Brown vjen me një problem të mprehtë, atë të origjinës së jetës dhe së ardhmen, të cilat shprehen përmes optikës së zhvillimeve teknologjike, posaçërisht të inteligjencës artificiale e cila po zhvillohet me hapa marramendës. Inteligjenca artificiale edhe ka mrekulluar njerëzimin edhe ka zgjuar shqetësime të forta, që i kanë artikuluar shumë personalitete të shquara të shkencës, ndër të cilët edhe astrofizikanin e famshëm tashmë i ndjerë Steven Hawking, me apelin që teknologjia super e sofistikuar duhet të mbahet nën kontrollin e njerëzimit.

Veçantia e romanit Origjina qëndron sa te tematika po aq edhe te fabula, ku gjithçka ngatërrohet, ndërlikohet dhe shfaqen pasoja të frikshme që trondisin një mbretëri, e në përmasa të caktuara dhe tërë globin.

 

Fabula intriguese e plot trille që të pushtojnë kureshtjen

Thurja e fabulës buron nga zbulimi i misterit të ekzistencës, të jetës që nga zanafilla dhe e ardhmja e njerëzimit, duke lënë të kuptohet se u është gjetur përgjigja pyetjeve themelore: nga kemi ardhur dhe kah po shkojmë. Në fakt, përgjigjet në këto i kishin dhënë religjionet e ndryshme, por përgjigja që jepet në Origjina, është ndryshe, e mbështetur në arritjet më të mëdha të shkencës shkencore. Zbulimi, sikurse lihet të nënkuptohet, do të sillte përmbysjen e besimeve të kahmotshme dhe fundin e religjioneve, ndaj, për t’i parapërgatitur për këtë kataklizmë shpirtërore, futuristi Edmond Kirshi ka aranzhuar në Katalonja të Spanjes një takim me Trininë e Shenjtë – Tre Burrat e Urtë: Ipeshkvin Antoinio Valdespino të Kishës Spanjolle, rabinin Jehuda Kövin udhëheqës shpirtëror i Sinagogës së Madhe dhe allamahun Saje dal Fadl, dijetar islam.

Qysh me këtë nis intriga e romanit, që shkon duke shtuar përplot enigma, mistere, konspiracione, veprime klandestine deri te aktet e vrasjeve. Përshtypja lihet se atentati ndaj futuristit, në kohën kur po bënte prezantimin e zbulimit të tij në Muzeun e Gugenhajmit në Bilbao, është kulmi i zhvillimit, si dhe vrasja e dijetarit islam dhe rabinit hebre. Por, në të vërtetë, nuk është ashtu.

Vrasjet duken të kurdisura për të ngjallë dyshime. Në fokus vihet kisha palmariane përmes ipeshkvit Antonoi Valdespino, pastaj dyshimi përfshinë mbretërinë (Valdespino kishte miqësi të veçantë me monarkun spanjoll, Ambra Vidal, drejtoeresha e Muzeut, është e fejuara e princit spanjoll Don Julian, prej të cilin në minutat e fundit kishte marrë kërkesë për ftesën ndaj admiralin të flotës detare Luis Avilo, atentatorit), duke involvuar edhe sigurimin e shtetit (dyshimet dhe burgosja e komandantit të Gardës Diego Garza). Krijohet perceptimi kaotik, sa që secili prej të sipërpërmendurve, veç e veç ose të ndërlidhur, duken si shkaktarë të atentateve me një qëllim të vetëm: të pengohej bërja publike e zbulimit të Kirshit. Dramaciteti, të papriturat, misteret që vetëm sa shtohen, janë aspekte të cilat mjeshtërisht të tërheqin t’i ndjekësh zhvillimet.

Përmes të gjitha këtyre rreziqeve, fabula zhvillohet pastaj në dy linja kryesore, në mënyrë të dukshme, ndërkohë që linja e tretë është e nënkuptueshme: zbulimi i atentatorit dhe publikimi e zbulimit të Kirshit. Roli kryesor u është ckatuar dy personazheve: kryeprotagonistit, profesorit amerikan të simbologjisë Robert Langdon, personazh tashmë i njohur për lexuesit e Dan Brown, dhe Ambra Vidal, drejtoreshë e Muzeut Gugenhajm dhe e fejuar e princit Julian. Një personazh tjetër, prezent në mënyrë të tërthortë, është Uinstoni, superkompjuteri kuantik Vala-E, inteligjenca artificiale që kishte krijuar Kirshi.

Hetimet çojnë te ipeshkvi Valdespino, të cilit i zbulohet edhe një mesazh telefonik me tone kërcënuese ndaj Kirshit. Më pas, shfaqen edhe disa protagonistë misteriozë, si Regjenti dhe [email protected]. Regjenti është nxitësi kryesor për aktet terroriste të admiralit Avilo, kurse [email protected] përmes faqes së internetit ConspiracyNet.com plason të dhëna burimore.

Publikimi postmortum i zbulimit të Kirshit – specia e re

Linja tjetër e fabulës: zbulimi i Kirshit. Përgatitja profesionale e Robertit dhe njohja me Kirshin, si dhe miqësia e Ambras me të, disi e lehtësojnë kalimin e vështirësive dhe zgjidhjen e enigmave. Pas shumë peripecish, e gjejnë vendndodhjen e superkompjuterit kuantik Vala-E të Kirshit: ajo është Qendra Superkompjuterike në Barcelonës, në një godinë të vjetër e të braktisur kishtare. Më në fund, duke i thyer një nga një të gjitha barrierat digjitale, gjithsesi me ndihmën e Uinstonit, Roberti dhe Ambra bëjnë të mundur prezantimin e zbulimit të Kirshit, prezantim që ndiqet nga mbi 500 milionë njerëz anekënd globit.

Përmes programimeve kompjuterike Kirshi kishte treguar se si njerëzimi dikur kishte mposhtur speciet e tjera e kishte dominuar vet. Por dekadave të fundit ishte shfaqur një specie tjetër, e cila, për 3-4 dekadat e ardhshme do të dominonte planetin. Kjo specie do ta gëlltiste njerëzimin: specia e re ishte Teknikumi. Një specie e inteligjencës artificiale. Dhe kjo specie po zhvillohej saktësisht sipas evolucionit darvinist.

 

Trinia teknologjike: Uinston-Monte-Regjenti

Linja e tretë, që shfaqet gradualisht, është ajo e veprimit të inteligjencës artificiale.  Uinstoni një kompjuter super i avancuar, i prezanton Robretit një autoprotret që ai e kishte bërë, e që në fakt është vendndodhja e Uinstonit (qendrës kompjuterike të Kirshit). Ai ka informacion të jashtëzakonshëm, ka qasje gjithkund përmes rrjeteve të internetit e smartfonave, është një udhërrëfyes dhe asistent i jashtëzakonshëm. Befasia është se ai është i vetëm dhe njëkohësisht mund të komunikojë me të gjithë vizitorët në Muze dhe me të tjerë madje.

Duke zbërthyer emrin  [email protected], Roberti arrin të kuptojë se ai është vetë Uinstoni, Ky e konfirmon këtë, dhe madje pohon se e kishte pritur që Roberti ta zbulonte këtë. Roberti hamendëson personazhin e mistershëm Regjentin. Uinstoni ia shpjegon me gjakftohtësi, duke treguar se Kirshi kishte pasur vetëm 9 ditë jetë për shkak të kancerit. Gjithçka kishte bërë ishte e tillë që do ta donte vetë Kirshi. Kryesorja ishte, shikueshmëria e zbulimit të Kirshit.

Larg e larg, Uinstoni, monte-iglasia dhe regjenti duken si një trini që në fakt janë një, një trini e re teknologjike. Qartë: një vazhdimësi e mitit hyjnor, vetëm se në kushtet superteknologjike.

Përfundim

Në tërë mozaikun e ngjarjeve ku ndërthuren komponentët arkaikë, religjiozë, arkitektura post moderne dhe teknologjia super inteligjente, paraqet një gjendje reale të bashkëjetesës dhe të bashkëveprimit të të gjithave, për të krijuar trille vizuale, prapa së cilës vepron inteligjenca artificiale, e cila përmes shfrytëzimit të të dhënave (ndërhyrjeve, mesazheve, telefonatave, nxitjes për vrasje, mbjelljes e dyshimeve, etj.) nxit veprime të gjithfarshme, deri te atentatet.

Çfarë sugjeron kjo?

Sot gjithçka është digjitalizuar, internetizuar, përfshirë këtu jo vetëm qytetarët e qeveritë, por edhe armët e sofistikuara, sikurse janë armët bërthamore. Mundësia e manipulimit të tyre nga inteligjenca artificiale e bën secilin rrëqethshëm t’i hamendësojë pasojat katastrofale për njerëzimin.

Apo ndoshta duhet lexuar ndryshe Origjina e Dan Brown: një apel i inteligjencës artificiale që të merret në konsideratë dhe të bashkëpunohet, duke u bashkëdyzuar, për të krijuar në mënyrë paqësore specien e re – Teknikumin.

Mbështetur te James Patterson, i cili shkruan se “nëse një roman thriller nuk trillon, nuk e bën punën e vet”, duhet nënvizuar se Origjina e bën punën e vet në mënyrë të shkëlqyeshme, sa që, përkundër voluminozitetit, nuk ndjehet lodhja për asnjë çast dhe nuk shuhet etja për të vazhduar më tutje ndjekjen e shtjellës së romanit, duke e përjetuar tërë brengën e madhe të kohës sonë bashkëkohëse.

 

(Autorja është dramaturge dhe regjisore teatri)

 

 

Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!