MENU
klinika

Deklarata e plotë

“OSBE të deklarohet për depolitizimin e plotë të zgjedhjeve”

20.03.2019 - 10:17

Partia Zgjidhja ka dalë me një reagim zyrtar në lidhje me deklaratat e OSBE-së për krizën politike në vend.

Përmes një deklarate për shtyp, ‘Zgjidhja’ bën me dije se djegia e mandateve të PD-LSI nuk është sajesë, por krizë e sistemit politik që është instaluar në Shqipëri.

Gjithashtu përmes kësaj deklarate, ‘Zgjidhja’ kërkon nga OSBE që të shprehë publikisht se reforma zgjedhore nuk korrigjon efektet e rënda të demokracisë dhe të deklarojë se prej 25 vitesh zgjedhjet në Shqipëri janë të blera.

Deklaratë shtypi e partisë ZGJIDHJA

Prezenca e OSBE-së u solidarizua dje me thirrjen e KQZ-së drejtuar partive politike për të dorëzuar emrat e komisionerëve për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Vonesat në propozimin e komisionerëve pengojnë trajnimin e tyre të rregullt dhe, si pasojë, vënë në rrezik zhvillimin e procesit zgjedhor në përputhje me standardet ndërkombëtare”-deklaronte OSBE-ja, për të cilën zgjedhjet janë e vetmja rrugë për të ardhur në pushtet dhe partitë politike janë përgjegjëse për besueshmërinë e zgjedhjeve në sytë e zgjedhësve shqiptarë.

ZGJIDHJA e ka deklaruar se situata sot me djegien e mandateve të PD-LSI nuk është një sajesë, por është krizë e sitemit politik që është instaluar në Shqipëri në këto tri dekada tranzicion, duke krijuar në vend një rregjim hibrid. Kjo është situata më e rëndë ku ka qenë Shqipëria.

OSBE duhet ta ketë të qartë dhe ta shprehë publikisht se reforma zgjedhore që premtoi qeveria nuk korrigjon asgjë nga defektet e rënda të demokracisë. Prej 25 vitesh zgjedhjet në Shqipëri janë të blera, por OSBE, në çdo raport, thotë se ato ishin një hap përpara.

Kërkesa kryesore dhe e panegociueshme për reformën zgjedhore është depolitizimi i administratës zgjedhore. Pa largimin e të emëruarve nga PS, PD dhe LSI nga KQZ-ja, çdo reformë është fake. OSBE-ja, që është në Shqipëri prej vitit 1991, e di shumë mirë se vjedhja e zgjedhjeve në këtë vend nuk është bërë me luftë mes partive, por me marrëveshje.

Shembulli më i freskët ishin zgjedhjet parlamentare 2017 dhe rinumërimi i 64 kutive në Tiranë tregoi se ishin manipuluar rreth 90 për qind e votave dhe votat e partive ishin ndarë mes partive që kishin komisionerë.

Për OSBE-në kjo nuk vlente për t’i shpallur të paligjshme zgjedhjet, sepse, sipas saj, këto nuk e ndryshonin rezultatin e zgjedhjeve.

ZGJIDHJA i thotë OSBE-së se kjo është rruga antidemokratike dhe antipluraliste për të vrarë që në gjenezë partitë e reja, votat e të cilave janë vjedhur sistematikisht nga dy-tri partitë që administrojnë procesin zgjedhor.

Pa plotësuar tri kushte siç janë depolitizimi i administratës zgjedhore, barazi në zgjedhje për të gjithë operatorët politikë dhe përfaqësimi i popullit në zgjedhje, përmes kandidatëve të zgjedhur prej tij jo nga kryetarët e partive, zgjedhjet në Shqipëri do të jenë vazhdimi i kompromiseve që ndërkombëtarët kanë bërë dhe bëjnë me autokratët e Tiranës.

ZGJIDHJA inkurajon OSBE-në, sa nuk është vonë, që të flakë tutje politikën e kompromiseve që ka bërë me partitë e vjetra në të shkuarën dhe të deklarohet hapur kundër një KQZ-je politike.

Ajo duhet të ngulmojë për zbatimin e rekomandimeve që ka bërë vetë për reformën zgjedhore, për ta bërë atë gjithëpërfshirëse, që zgjedhjet në vend të përmbushin kriterin kushtetues: të lira dhe të barabarta.

#ZgjidhjaPerShqiperine