Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe homologu i tij slloven, Borut Pahor folën për debatin e nxehtë të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kreu i shtetit slloven u shpreh kundër ndryshimit të kufirit, ndërsa Meta tha se nuk mund të flasë për një çështje që i takon Kosovës.
“Qeveria sllovene ka një qëndrim të frenuar për këtë çështje. Unë kam marrë kurajo të jem pak i drejtpërdrejtë lidhur me mundësinë që të keni një zgjidhje paqësore të krizës në favor të paqes.
Unë kam thënë se jam i hapur edhe për këtë variant, nëse të dy shtetet e ofrojnë një mundësi dhe mbështetin një mundësi të tillë. Nëse një proces do të menaxhohet me kujdes në bashkëpunim me BE dhe faktorë të tjerë me ndikim që do të garantojnë që një akt i tillë i guximshëm mos kalonte në konflikt dhe me kushtet që kjo mos kuptohet si efekt domino që do të sillte dëme.
Nuk jam mbështetës i ndryshimit të kufijve për të plotësuar kriteret nacionale. Bëhet fjalë për korreksione të kufirit që do ti mundësojnë dy shtetet që të lidhin marrëveshjet dhe njohjen reciproke diplomatike”, u shpreh Presidenti slloven.
Ndërsa Presidenti i vendit, Ilir Meta tha se ndërhyrja e Shqipërisë çështen e dialogut Kosovë-Serbi do të ishte mungesë respekti ndaj Kosovës.
Shqipëria është nga vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe që respekton dhe mbështet shtetin e pavarur. Çështja e dialogut i takon udhëheqësve të Kosovës dhe çdo ndërhyrje në çështjen e dialogut nga ana e Shqipërisë do të ishte një mungesë respekti për institucionet e pavarura të Kosovës.
Përkrah dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për të garantuar të ardhmen evropiane jo vetëm të këtyre dy vendeve, por gjithë Ballkanin Perëndimor. Nxit të gjithë drejtuesit e institucioneve të Kosovës të bashkëpunojnë ngushtësisht, përfshi këtu edhe udhëheqësit e opozitës për të çuar këtë dialog përpara në interesin më të mirë të Kosovës, por edhe të një zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën dhe Serbinë dhe gjithë rajonin tonë.
Ne do të respektojmë çdo zgjidhje që institucionet e Kosovës do të pranojnë dhe përkrahin në mënyrë demokratike. Sa i takon marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, ju e dini se që kur kriminali i Ballkanit u rrëzua nga vetë serbët me votë, unë them se marrëdhëniet kanë qenë të mira dhe Shqipëria ka bërë hapa të guximshëm për të përmirësuar këto marrëdhënie.
Do të vazhdojmë pa u lodhur për të forcuar këto marrëdhënie duke shpresuar që kjo të ndihmojë edhe në një klimë pozitive në dialogun mes Kosovës dhe Shqipërisë, por kurrë duke marrë përsipër për të për të përfaqësuar Kosovën në çështjet që ka në dialog me Serbinë.” deklaroi Meta.