Ky fundmars shënon 74-vjetorin e masakrës së Tivarit, ku partizanët komunistë të Shqipërisë, Serbisë e Malit të Zi vranë masivisht disa mijëra mijëra djem të rinj shqiptarë të Kosovës. Tragjedia si shkak i marrëveshjes së shkruar midis udhëheqësve komunistë në Tiranë dhe Beograd, u mbajt e fshehtë për dekada të tëra.
Historiani Uran Butka botoi studimin 25-vjeçar “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar” me dokumente të shumta arkivore nga disa shtete të rajonit.
“Masakra e Tivarit është një ploje e përgjakshme dhe e pashembullt. Ajo u realizua nga shteti komunist jugosllav në bashkëpunim të plotë me shtetin komunist shqiptar të Enver Hoxhës. Qëllimi i kësaj masakre ishte për të zhdukur dhe shpërngulur shqiptarët nga Kosova, pra, për një spastrim të plotë etnik”, – thotë zoti Butka.
Masakra ishte një spastrim i mirëfilltë i popullit të Kosovës, që ushtria jugosllave e arriti me anw tw ushtrisë komuniste të Shqipërisë.
Rinia e Kosovës u thirr në një mobilizim ushtarak për të luftuar pushtuesit nazistë, por pasi u mblodhën në Prizren nga të gjitha anët e vendit, u çarmatosën dhe u nisën në kolona drejt Kukësit, Shkodrës dhe i nxorën në Tivar, ku u vranë masivisht me mitralozët e malazezëve më 31 mars 1945.
“Ky libër imi është edhe një homazh, sepse këtu janë edhe të gjitha listat e atyre viktimave të pafajshëm, që u vranë padrejtësisht, nga të gjithë trevat e Kosovës, bujq, blegtorë, ushtarë të Shaban Polluzhës, ushtarë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare nga Kosova dhe nga Shqipëria dhe që u nisën në këtë kalvar vdekjeje.
Karvani i të rinjve kosovarë eci për një javë në kushte çnjerëzore dhe nën tytat e armëve të komunistëve shqiptarë dhe serbë, madje shumë prej tyre u vranë në çdo pikë të këtij itinerari tragjik, kur nuk i lejonin as të pinin ujë në burime as të futnin ushqim në gojë.
Libri përmban edhe listën e plotë të martirëve të kësaj masakre, familjet e të cilëve edhe më pas u persekutuan rëndë në shtetet komuniste në dy anët e kufirit. Midis autorëve të kësaj masakre ishte edhe ministri i brendshëm Haxhi Lleshi, i cili firmosi përkrah me homologun serb Rankoviç dhe e mbrojti veprimin e tij derisa qe gjallë si “një vendim i duhur ndaj reaksionarëve”, – thotë autori.
“Kolona e parë u nis më 24 mars nga Prizreni dhe kolonat e tjera më 26 dhe 27 mars dhe 3 kolona të tjera në prill, u nisën për në territorin e Shqipërisë, sipas një marrëveshje midis ministrit të brendshëm serb Rankoviç dhe ministrit të brendshëm të Tiranës Haxhi Lleshi. Ishte një marrëveshje e pashembullt askund në botë, që e implikonte me djallëzi Shqipërinë dhe përfshiu territorin e saj, ku u vranë rrugës shumë prej tyre. Askund në botë nuk ka marrëveshje dyshtetërore për të bashkëpunuar në vrasjen masive të mijëra djemve prej bashkëkombasve të tyre”, – tregon studiuesi Uran Butka.
Ai shtoi se tragjedi të tilla tregojnë fytyrën e vërtetë të regjimit komunist, që u ngrit mbi pabesinë ndaj të rinjve kosovarë.
“Këtu ndodhi pabesia dhe tradhtia, sepse ata, pasi u mblodhën nga të gjithë anët e Kosovës, iu dorëzuan UDB-së dhe Divizionit 52 jugosllav me urdhër sekret të Enver Hoxhës”, – citoi ai telegramin e shifruar.
Edhe sot ata nuk nderohen si martirë, edhe një afrim edhe një pajtim i vërtetë mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit mund të kryhet sinqerisht me respektimin e viktimave të asaj tradhtie që kaloi mes për mes Shqipërisë dhe kulmoi në Tivar, ku edhe deti u mbush me plisat e tyre të bardha.
“Po të ishin ndëshkuar kriminelët dhe krimet, ato nuk përsëriten. Dhe është detyrë e shtetit të Kosovës që t’i njohë dhe t’i trajtojë këta si martirë të Kosovës. Po ashtu edhe Shqipëria në shenjë ndjese për atë bashkëpunim kriminal, që u bë nga shteti komunist i Enver Hoxhës, duhe t’i trajtojë ata si martirë të popullit dhe kombit shqiptar”, – është shprehur Butka.
Masakra e Tivarit është një nga faqet më të errëta të historisë së Ballkanit dhe të popullit shqiptar. Ndriçimi i saj i plotë, ndriçimi i bashkëpunimit kriminal Tiranë – Beograd kundër rinisë së Kosovës, do të nxirrte shumë mësime për të sotmen dhe të ardhmen e rajonit.