MENU
klinika

Poetja e parë angleze

Cila ishte ‘zonja e errët’ shekspiriane?

18.03.2019 - 13:11

“Raporti Emilia” i quajtur për nder të botimit të poetes së parë në Angli, analizon fatin e shkrimtarëve të gjinive të kundërta në të njëjtat zona të tregut.

Emilia Bassano ishte poetja e parë angleze e botuar në vitin 1610 dhe, sipas hamendësimeve, mund të jetë “Zonja e errët” e soneteve të Shekspirit. Mirëpo, Bassano thuajse është harruar nga pasardhësit, reputacioni i së cilës është eklipsuar nga bashkëkohësit meshkuj. Katërqind vjet më vonë, hulumtim i porositur nga regjisorët e Emilias, një shfaqje rreth përpjekjeve të Bassanos për t’u njohur si shkrimtare, kanë dalë në përfundimin se shkrimtaret femra vijojnë të gjykohen nga “karroca e fëmijëve në korridor”, apo injorohen si shtëpiake në vend që t’i marrin seriozisht si autore.

 

“Raporti Emilia” krahasoi mbulimin e 10 shkrimtarëve, meshkuj dhe femra, në të njëjtin treg, ku u përball me “paragjykim të dukshëm” ndaj shkrimtarëve meshkuj, të cilët merrnin 56% të mbulimit të recensioneve. Duke krahasuar autorë si Neil Gaiman dhe Joanne Harris, të dy autorë të prozës letrare – “Mitologjia norvegjeze” e Gaiman dhe “Xhepi plot kikirikë” e Harris, hulumtuesit konstatuan, se, ndërsa Gaiman i dedikohej një recension i gjerë, Harris lihej në shpërfillje të plotë. E njëjta histori edhe për autorët e letërsisë komerciale Matt Haig dhe Rowan Coleman; “Si të ndalojmë kohën” (“How to Stop Time”) u përmend gati 12 herë në fletët e gazetave, në një pleksje kritikash, intervistash dhe lajmesh, ndërkohë që “Vera e gjërave të pamundura” (“The Summer of Things Impossible”) mori vetëm tri artikuj.

Referencat sa u përket moshës së femrave shkrimtare ishin të “gjithëpranishme”, madje edhe në reportazhet, studiuesit konstatuan se në recensionet për shkrimtaret femra referenca tek mosha ishte dy herë më e madhe si pjesë e reportazhit. Në rastin e Sally Rooney, vetëm pesë pjesë nga 16 nuk arritën t’ia përmendin moshën, tre prej të cilave ishin recensione.

Coleman, një nga 27 autoret femra të intervistuara për raportin mbi përvojën e saj të botimit, u shpreh se asaj nuk i ishte bërë asnjëherë asnjë recension në gazetë, pavarësisht se kishte shkruar një varg romanesh bestseller. “Për një burrë shkrimi është karrierë”, – shprehet ajo. “Për një grua, shpeshherë të shkruarit e saj trajtohet si një hobi, është diçka e bukur për t’u bërë në kohën e lirë. Ky qëndrim është thellësisht i ngulitur në kulturën tonë”. […]

Kate Mosse, themeluesja e çmimit të grave për prozën letrare 24 vjet më parë, shprehet: “Letërsia me L të madhe ende nuk shihet si një zë letrar neutral, nëse janë femrat ato që shkruajnë nga këndvështrimi i tyre”. Carol Drinkwater, autorja bestseller thotë se gjatë intervistave “gjithmonë” pyetet për moshën, si dhe për detaje rreth jetës së saj personale.

Shkrimtarja Sarah Hilary shprehet se gratë “priren të ekspozohen për shkak të llojit të mbulimit që marrin, që mund të jetë në revistat e femrave dhe kjo është ajo që dëshirojnë lexuesit e tyre”. […]

“Raporti Emilia” rekomandon botuesit t’i kapërcejnë stereotipet gjinore në reportazhe, që “minojnë kredibilitetin e letërsisë artistike të femrave dhe aftësinë e tyre për t’u marrë seriozisht”, duke u kërkuar redaktorëve letrarë të shqyrtojnë çdo paragjykim gjinor në shqyrtimet e recensioneve të tyre.

Bassano arriti të botojë një libër: “Salve Deus Rex Judæorum”, duke censuruar faktin që gratë të kufizohen vetëm në shkrimin e teksteve fetare. Megjithatë, ajo njihet gjerësisht jashtë qarqeve akademike.

“Unë jam e bindur se nëse femrat do ishin të barabarta me burrat e kohës, tashmë ne do kishim një trup pune për ta kujtuar. Në vend të kësaj, pjesa më e madhe e punës së saj ndoshta ka humbur”, – shpreht Lloyd Malcolm. “Konkluzionet e “Raportit Emilia” janë të rëndësishme, sepse tregojnë se pse është jetike të dëgjosh ata që janë jashtë një grupi të vogël njerëzish të bardhë. Që ideja e të shkruarit të grave është  pa imagjinatë dhe “shtëpiak” është një gënjeshtër dhe se krijimet tona kanë për të thënë po aq për gjendjen njerëzore, sa edhe ato të burrave”.

 

(“The Guardian”)