MENU
klinika

Opinion

Policë e zëra që nuk janë të Lleshajt, por të Shqipërisë

01.03.2019 - 14:29

Policët nuk janë të Lleshajt, por të Shqipërisë. Lleshaj identifikohet pa dyshim me policët që sot arrestuan një pervers, me policët që sakrifikojnë natë e ditë duke shërbyer.

Një pervers mund të shërbejë si flamur për politikanë perversë, por nuk mund të njollosë askënd përveç vetes së tij dhe atyre që i gëzohen ekzistencës së tij.Mbështetje për Policinë e Shtetit Shqiptar

Teoria Skandinave e Polifonisë gjuhësore, e njohur me emrin “ScaPoLine” është një teori semantike, e krijuar në hullinë e studimeve të teorisë frënge të argumentimit e studiuesve si Anscombre dhe Ducrot. Teoria e polifonisë, ose siç quhet ndryshe teoria e zërave diskursivë, e cila e sheh thënien si kombinim, deri diku të ndërlikuar, fenomenesh ku disa lidhen me gjuhën e të tjera me ligjërimin.

Në këtë këndvështrim me zë kuptohet çdo qenie diskursive (çdo pjesëmarrës në diskurs), pra folësi, bashkëfolësi, tjetri diskursiv. Një thënie mund të përfshijë një ose më shumë zëra, të cilët rregullojnë marrëdhëniet e tyre brenda kontekstit në fjalë, ku përveç semantikës gjuhësore të realizuar nëpërmjet produktit lokutiv, luan rol kuptimor edhe individualiteti i zërave, si një dije diskursive paraprake që realizohet nëpërmjet aktit lokutiv (pra, çdo gjë shfaqet njëherazi edhe si produkt nëpërmjet të thënit, sikundër edhe si produkt nëpërmjet të qenit).

Teoria skandinave e polifonisë e kundështon pikëpamjen tradicionale se vetëm një zë është i pranishëm në një thënie (Nølke 2017). Shembuj tipikë të polifonisë gjuhësore/shumësisë së zërave janë ligjërata e zhdrejtë dhe citimet, apo edhe proverbat, maksimat, që ndërkallen si produkte gjuhësore të parafabrikuara.

Në këtë rast zërat janë eksplicitë (të pranishëm) dhe shprehin në mënyrë të drejtpërdrejtë një këndvështrim (kv) (point de vue/point of view). Ndërsa në raste të tjera zërat janë të nëntëshëm (implicitë) dhe te këto mbërrihet nëpërmjet këndvështrimit.

Në dy deklarata në Twitter (11.02.2019), ministri i brendshëm, S. Lleshaj mbajti qëndrimin e tij për skandalin ku u përfshi një oficer policie. Në këto deklarata ku supozohej që Lleshaj të jepte versionin e tij, pra zërin e tij, për të sqaruar këndvështrimin e tij prej ministri, në fakt, pa dashur ai u dha zë edhe këndvështrimeve të tjera të kundërta me të.

Sërish sipas Teorisë Skandinave të Polifonisë, zërat implicitë në thënie i sinjalizojnë disa elemente gjuhësore si: pjesëzat mohuese (nuk, mos), konektorët (por, ndonëse, megjithatë), anaforikëve (“ne”), modalizatorëve (mund, ndoshta etj.) (Fløttum 2010).

Në rastin e deklaratës së Lleshajt përmes këtyre elementeve mund të hetohen këndvështrimet dhe për pasojë zërat e tjerë që nuk mendojnë si ai. Le të shohim fjalinë e parë

(1) Policët nuk janë të Lleshajt.

Në këtë fjali kemi dy këndvështrime (kv), njëri se Policët janë të Lleshajt (kv1) dhe tjetri që e hedh poshtë atë si të pavlefshëm ose të rremë: “Policët nuk janë të Lleshajt (kv2). Lokutori i kësaj thënieje është përgjegjës për kv2, por nuk na thuhet se kush është përgjegjës për kv1. Megjithatë duke e vendosur këtë fjali në kontekst burimi i këndvështrimit të parë del lehtësisht në pah. Burimi janë të gjithë ata që rendën të gjenin një deklaratë të mëhershme të ministrit të brendshëm ku thoshte se ai vetë ishte përgjegjës për çdo veprim të policëve, si dhe ata që e fajësojnë atë për mosreformimin e pritur të policisë së shtetit.

Sidoqoftë qëndrimi i lokutorit (Lleshajt) ndaj kv1 pohues është qëndrim mospërgjegjësie, pra ai e refuzon këtë raport. Nga ana tjetër Lleshaj sjell edhe një këndvështrim të tretë, pra zë të tretë që është argument ndaj këndvështrimit të tij kv2, kur thotë se policët janë të Shqipërisë. Lidhëza por është sinjalizuese e këtij këndvështrimi të tretë (kv3)

(2) Policët nuk janë të Lleshajt, por të Shqipërisë.

kv1: Policët janë të Lleshajt.

kv2: Policët nuk janë të Lleshajt.

kv3: Policët janë të Shqipërisë.

Ministri, në këtë deklaratë shfaqet si lokutor i thënies, por jo si lokutor tekstual sepse nuk i drejtohet vetes me unë (dhe përemrat në rasat e tjera lidhur me të), por zgjedh t’i drejtohet vetes si me mbiemër, Lleshaj.Kësisoj imazhi i lokutorit nuk është i dyfishtë edhe si lokutor i thënies edhe lokutor tekstual, por arrin që të krijojë efektin e impersonalizimit, largimit të përgjegjësisë nga personi konkret dhe ndërtimi i thënieve që të çojnë te institucioni dhe te dija diskursive (ai –Lleshaj –ministri). Një lexues i djallëzuar mund edhe të thoshte se Lleshaj s’e ka shkruar vetë atë status, por thjesht e ka postuar siç ia kanë nisur (?!)

(3) Një pervers mund të shërbejë si flamur për politikanë perversë, por nuk mund të njollosë askënd përveç vetes së tij dhe atyre që i gëzohen ekzistencës së tij.

(4) Një pervers mund të shërbejë si flamur

Në këtë thënie folja modale mund sinjalizon pasiguri epistemike të këtij këndvështrimi, veçanërisht e parë në ndërlidhje me strukturën vijuese me lidhëzën por. Sakaq zëra të ndryshme përmban edhe thënia në vijim:

(5) nuk mund të njollosë askënd përveç vetes së tij dhe atyre që i gëzohen ekzistencës së tij.

kv1: (një pervers) mund të njollosë (edhe të tjerë) përveç vetes së tij …

kv2: kv1 nuk është i vërtetë.

Për t’iu kthyer deklaratave shkronjarrudhura në Twitter të ministrit, vihet re qartë se fjalia e fundit Mbështetje për Policinë e Shtetit Shqiptar! është jo rastësisht e ndryshme nga fjalia e parë: Policët janë të Shqipërisë. Nga këtu lexoni, ish-polici, si simbol i së keqes, i ashtuquajtur pervers është i Shqipërisë, jo i Lleshajt, ministrit i cili punët i ka me Shtetin dhe e mbështet këtë policinë e Shtetit (si medium i së mirës dhe sakrificave).

Sidoqoftë, bashkë me policin që u rrek ta fjalësonte si jashtë bashkësisë së Policisë së Shtetit Shqiptar, ministri fjalësoi në mënyrë të nëntëshme e pa dashur edhe zërat e këndvështrimet e të gjithë atyre që e drejtojnë drejt tij gishtin e përgjegjësisë.

Gjuha ka një strukturë dialogjike dhe shpërfaq duan apo s’duan folësit, qofshin dhe ministra, një sërë raportesh kuptimore e kontekstuale, përtej nga sa përpiqen të thonë deklaratat.

Elsa SKËNDERI -RAKIPLLARI/ albanizma.com