MENU
klinika

Profil

“Teto Ollga” e njëherë e njëkohe…

14.03.2019 - 16:14

Në brezin e aktorëve të mëdhenj të skenës dhe ekranit, ata që i dhanë shpirtin dhe veten artit, Violeta Manushi personifikon portretin më domethënës të asaj gjenerate.

Ajo ishte prezente në tërësinë kohore të atij arti të pavdekshëm, që në vitin 1946 kur u regjistrua në shkollën dramatike të Teatrit dhe deri nga fundi, kur filmi dhe teatri shqiptar ishin në perëndimin e tij, për shkak të pasojave të ndryshimeve politike. Pra, qysh në nisje deri aty ku mbaron ai brez dhe fillon udha e vështirë e aktorëve dhe artit të sotëm filmik dhe teatror. Më shumë së shumti, Violeta Manushi mbahet mend për realizimet e saj kinematografike: 16 të tilla, por, ajo interpretoi edhe 100 role në teatër.

Violeta lindi në Voskopojë të Korçës më 1926. Pas martesës së motrës së saj në Tiranë, shpërngulet edhe ajo vetë duke ndjekur pas të motrën, siç thotë ajo vetë – për të hequr një gojë nga sofra e babait.
Vite të vështira. Varfëria dhe uria, bota, shkenca që po shkonte drejt një përparimi të pandalshëm, kapitalizmi në kërkim të kapitaleve më të mëdha me eksperienca negative si Krak-u dhe në luftë me ideologjitë e sapo lindura si komunizmi, nazismi, lufta e dytë botërore dhe një Ballkan i uritur e me luftëra dhe Shqipëria në mes tij.


Pas ardhjes në Tiranë, fillon punë si tipografe në shtypshkronjën “Dielli” për të ndenjur aty deri në çlirimin e Shqipërisë. Violeta, e cila ishte komuniste në celulën e Korçës, më 1945, urdhërohet të marrë pjesë në një shfaqje! Festohej për herë të parë 1 maji dhe do të vihej në skenë vepra e Viktor Eftimiut, Akimi, me regji të Sokrat Mios.

Si mungesë e disa prej vajzave partizane, të cilat, pas përfundimit të luftës gjendeshin edhe me detyra të tjera, ishte problem për t’u gjetur një aktore për të interpretuar rolin e një vajze. Meqë prova e Violetës doli mirë, këmbëngulën që ta marrin. Ajo vetë pranon se nuk dëshironte…por ishte urdhër dhe ishte një e re komuniste. Arti shqiptar ishte në fillimet e tij, në nisje. Diku Sandër Prosi, diku Mihal Popi, ja edhe Violeta Manushi…

Ndërkohë ishin hedhur bazat

Fillon zyrtarisht në tetrin Kombëtar më 1 prill 1946 dhe aty gjen aktore, por edhe shoqe të mira, si Behija Çelën apo Liza Vorfin. Gjithashtu, duke qenë pjesë e Teatrit Kombëtar, ajo pohon se mori edhe universitetin pa diplomë.

Shqipëria sapo pati dalë nga lufta dhe ishte në ngritjen e jetës së saja artistike. Në teatër vetëm Andon Pano ishte tërësisht i arsimuar. Afrohen edhe të rinj si Prokop Mima apo Sandër Prosi të cilat janë me arsim të mesëm, por të tjerët nuk e kanë atë arsimim. Kush për shkak varfërie, kush për shkak lufte. Violeta p.sh., pati kryer vetëm pesë klasë fillore të kohës së Zogut dhe kështu, qeveria sjell pedagogë në teatër dhe Violeta, por edhe të tjerë, në mëngjes bëjnë teori dhe pasdite prova në skenë, me pjesë të ndryshme të vogla.

Ai grup i bukur i fillimit të teatrit shqiptar, ishin një grup njerëzish të mrekullueshëm. Ajo thekson se edhe kur nuk kishin role, ata qëndronin po aty duke ndjekur njëri tjetrin, kishin një shoqëri të bukur dhe hyrje dalje e vizita familjare deri në ditët më të fundit të jetës. Kishte mirëkuptim, tolerancë e respekt. kurrë grindje. Çdokush e dinte se me kë partner përshtatej më mirë, çdokush ishte i ndërgjegjshëm se ky rol i shkonte këtij apo asaj aktoreje dhe ky rol një tjetri apo tjetre.

Sa shumë karaktere brilante!

Violeta Manushi, për arsye se gjithnjë bazohej tek realiteti popullor, kishte të padiskutueshme aftësinë të njësohej me rolin ashtu siç nga ana tjetër, ishte e aftë të interpretonte role si komikë zonja aristokrate, fodulle, mendjemadhe dhe me gjykim të lehtë duke shkaktuar gafa dhe të qeshura të pafundme si Olimbia në “Karnavalet e Korçës”.

Pensionistja nga qyteti, e mësuar të nënvleftësojë relitetin e fshatit dhe nga ana tjetër me një vajzë në moshë për martesë për të cilën ka një kujdes të tepruar prej prindi. Ollga tek Zonja nga qyteti por edhe më pas Shoqja nga fshati, i fali në të vërtetë pavdekësinë artistike! Atë që ndodh shpesh kur një aktor është i suksesshëm me rolin, identifikimi në popull me emrin e personazhit! Nga të tre këto role, mbeten të paharruara episodet e frazat që mbajnë mbi vete emocionet e tërë veprës si;

– Merri! – duke i flakur gjeneralit italian trastën me eshtrat e kolonelit Xampa.- nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

– Me tren! Nëpër Adriatik! – përgjigja për pyetjen “A keni vajtur në Vencia zonjë?”- nga “Karnavalet e Korçës”.

– Shitën gomerët dhe blenë biçikleta! – ose – Ju faleminderit! Jeni shumë lart e nuku ngjitemi dot! – nga “Zonja nga qyteti”.

Për Violeta Manushin, është shkruar shumë. Janë shumë intervista me të dhe nuk pretendoj se mund të sjell por edhe të ripërmend tërë jetën e saja artistike dhe personale këtu në këtë faqe por, le të përmendim dy fakte që pakkush i di për të, për aktoren dhe njeriun Violeta Manushi. Në moshën tridhjetë e një vjeçare, në dramën “Orët e Kremlinit”, ajo interpreton njëherazi tre role.

Diçka e pabesueshme për kohën, për moshën por edhe një rekord artistik të cilin askush nuk e ka “thyer” deri më sot! Violeta ishte një njeri me personalitet shumë të madh, i kushtuar tërësisht pas artit dhe besoj se mund të thuhet se artit i kushtoi veten, jetën e saja. Këto, besohet se ndikuan që ajo të mos martohet kurrë.

E megjithatë, shfaqte aq bukur dashurinë e nënës nëpër role ndonëse kurrë nuk krijoi familje! Ashtu si i madhi Loro Boriçi ishte i martuar me sportin, futbollin edhe e pavdekshmja Violeta Manushi ishte martuar me artin. Në jetë duhet të mësohemi ti pranojmë disa gjëra.

Në rastin e Violeta Manushit, Sandër Prosit apo Kadri Roshit e shumë të tjerëve, kemi bërë paqe me veten për të pranuar mungesën e tyre fizike, por i ruajmë të gjallë në kujtimet tona, me frazat që ne i përdorim aq shpesh.