MENU
klinika

Pasqyrimi

Protesta në ‘lupën’ e mediave të huaja

05.03.2019 - 17:01

Protesta e opozitës me fishekzjarre e djegie gomash, është pasqyruar edhe në mediat e huaja.

Agjencia prestigjioze e lajmeve “Associated Press” raporton se mijëra protestues që përkrahin opozitën rrethuan këtë të martë Kuvendin duke kërkuar qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.

Ajo pohon mes tjerash se në protestë pati ndezje fishekzjarrësh dhe djegie gomash, por gjithçka u mbyll në formë paqësore dhe protestuesit u shpërndanë.

“Mijëra protestues që përkrahin opozitën shqiptare rrethuan të martën parlamentin shqiptar, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme. Ata akuzuan kabinetin për korrupsion dhe lidhje me krimin”, shkruan “Associated Press”.

Media italiane ‘ANSA’ vë po ashtu theksin tek hedhja e shashkave, djegien e gomave si dhe tek thirrjet e protestuesve për largimin e kryeministrit Edi Rama.

“Qindra agjentë policie kanë rrethuar parlamentin ku zhvillohet seanca vetëm me praninë e mazhorancës. Opozita ka hequr dorë nga mandati i deputetëve të saj prej dy javësh”, shkruan ANSA.

Agjencia tjetër e lajmeve italiane “NOVA” shkruan se manifestimi i protestuesve shqiptarë është i katërti në pak javë.

“Është manifestimi i katërt radhazi brenda pak javëve, gjatë të cilëve janë regjistruar përleshje me policinë, e cila ka përdorur lakrimogjenë për të shpërndarë turmën”, shkruan ajo.

Ndërkaq, krerët e opozitës janë shprehur se protestat do të vazhdojnë deri në rrëzimin e kryeministrit Rama.