MENU

Vendimi

Qeveria akordon fondin 300 mln lekë për konviktet

13.03.2019 - 18:59

Qeveria ka ndarë një fond prej 300 milion lekësh për rikonstruksionin e konvikteve të studentëve brenda territorit të Bashkisë Tiranë.

Vendimi i plotë:

PROCEDURAT E TRANSFERIMIT TË FONDIT GRANT “PËR PËRMIRËSIMIN E KUSHTEVE NË KONVIKTET E STUDENTEVE” TË BASHKISË TIRANË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Fondi në dispozicion të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në masën 300 000 000 (treqind milionë) lekë, në llogarinë ekonomike 604, të programit buxhetor 09450, “Arsimi i Lartë”, i trashëguar për vitin 2019, të përdoret me destinacion përmirësimin e kushteve në konviktet e studentëve të Bashkisë Tiranë.

2. Fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, pas miratimit nga Komiteti i Ndihmës Shtetërore, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të transferohet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë te përfituesi, ndërmarrja/et e trajtimit të studentëve, me pronar Bashkinë Tiranë, si transfertë në llogarinë e përfituesit në bankën e nivelit të dytë.

3. Transferimi i fondeve të realizohet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, pas konfirmimit nga Bashkia Tiranë të ndërmarrjes/eve të trajtimit të studentëve, Tiranë, (përfituesi), dhe numrit të llogarisë bankare të tij/tyre në bankën e nivelit të dytë përkatëse.

4. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Bashkia Tiranë të monitorojnë mbarëvajtjen e punimeve për realizimin e projektit, sipas pikës 1, të këtij vendimi, nëpërmjet një grupi ekspertësh me përfaqësues nga të dyja institucionet.

5. Përbërja dhe detyrat e grupit të ekspertëve përcaktohen me urdhër të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

6. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Bashkia Tiranë dhe ndërmarrja/et e trajtimit të studentëve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.