Kryemistri Edi Rama, në një intervistë për të përditshmen italiane “Libero”, deklaroi se Evropa po sillet në mënyrë hipokrite ndaj emigrantëve e se populistët italianë kanë motivet e tyre për t’u ankuar.
Në intervistën e publikuar sot nga e përditshmja italiane, Rama tha në lidhje me situatën politike se nëse opozita dëshiron të përballet, duhet të kthehet në Parlament.
“Në Shqipëri opozita është jashtë parlamentit, të tërhequr mbi “malin Aventino” siç thoni ju italianët shprehje e përdorur gjatë epokës së regjimit fashist në Itali pas largimit të disa deputetëve nga parlamenti pasi ishin kundër fashizmit, por unë nuk jam Duçja. Duhet të kthehen në Parlament nëse duan të përballen. Kështu i bëjnë keq vetëm Shqipërisë. Nuk jemi në rrezik destabilizimi e protestuesit para parlamentit nuk kanë popullin pas tyre”, tha kreu i qeverisë.
I pyetur nëse hyrja e Shqipërisë në Evropë është një bast i fituar ose jo, Rama tha se Shqipëria ka nevojë për institucione të forta e të integruara në BE.
“Dua të çoj vendin tim në Evropë, jo aq për ekonominë se sa për politikën e jashtme. Kemi shumë tregues se pas protestave të këtyre ditëve kundër qeverisë time, është aksioni i fuqive të huaja. Në Shqipëri kemi nevojë për institucione të forta e të integruara në BE, për të ndjekur modernizimin e luftuar korrupsionin që ende është i lartë”, deklaroi ai.
Kryeministri shqiptar ka komentuar në këtë intervistë dhe problematikën e emigracionit me të cilën po përballet Evropa, që është objekt i mjaft debateve të forta me shtetin italian.
“Mendoj se BE duhet t’i japë fund sjelljes së saj hipokrite e se është e papranueshme që BE akuzon Italinë për xenofobi e më pas e braktis në çështjen e emigrantëve”, nënvizoi Rama.