Robert Frost (Robert Lee Frost), poeti i famshëm amerikan i shekullit të 20-të, i cili admirohet për përshkrimet e jetës rurale të Angisë, apo për vargjet realiste që portretizojnë njerëzit e zakonshëm në situata të përditshme, lindi më 26 mars 1874 në San Françisko dhe vdiq më 29 janar 1963 në Boston të Masaçusetit. Ka fituar katër çmime “Pulitzer” për poezitë e tij, ka marrë 40 çmime nderi nga universitetet më të mëdha të botës, por s’ka fituar asnjëherë një çmim “Nobel”. Çmimi i katërt “Pulitzer” i shkoi Frostit njëzet vjet para se të vdiste. Çmimi “Nobel” ishte shndërruar në njëlloj depresioni për Frostin, kur ishte në moshën e mesme.
Zjarr dhe akull
Disa thonë se bota në zjarr do marrë fund
Ca të tjerë në akull thonë
Por nga ç’kam shijuar në dëshirë
Unë jam me ato të zjarrit më mirë
Por po të duhej të ndodhte dy herë
Për urrejtjen unë shumë di, mendoj
Të them se për shkatërrim
Akulli – i mirë fare, e do të mjaftojë.
Pas diplomimit në shkollën e mesme, Frost vazhdoi Kolegjin Dartmouth për disa muaj, por u përjashtua pas një shakaje sadiste. Gjatë dhjetë viteve të ardhshme, ai do të ndërronte disa herë punë: do të punonte në tekstile, në fermë, madje do të mësonte latinishten në shkollën e të ëmës. Në 8 nëntor 1894 “Idependent” botoi poemën “Flutura ime”, botimi i së cilës e bëri të merrte 15 dollarë. Më pas nisi të punonte si mësues dhe vijoi pasionin për të shkruar poezi, të cilat herë pas here i publikonte në revista.
Frost u pranua si student i veçantë i Harvardit më 1897, ku nisi të mësonte latinisht, greqisht dhe psikologji nën drejtimin e George Santayana. Më 1900, ai u zhvendos në Nju Hamshir, ku mori një fermë të vogël e nisi të punonte si mësues në Akademinë e Pinkertonit, një post që e mbajti për pesë vite. Në atë kohë, nisi një cikël me poezi në revistën “The Atlantic” dhe zarfi iu kthye bashkë me përgjigjen: “Na vjen keq, por revista jonë nuk ka vend për vargjet e tua të fuqishme”. Burri që hidhte ndjenjat e tij më të holla në letër, ishte një baba i rreptë, si dhe një bashkëshort strikt në shtëpi.
Pas vdekjes së gjyshit, Frost trashëgoi fermën e tij dhe një pension prej 500 dollarësh, çka i lejoi të kishte kohën e mjaftueshme për të lexuar dhe shkruar poezi. Në vitin 1912, ai e shiti fermën dhe bashkë me gruan dhe katër fëmijët e vegjël u shpërngulën në Angli, për të jetuar në Gloucestershire. Në moshën 39-vjeçare botoi librin e parë me poezi “Dëshira e një djali”, e cila u përfshi menjëherë në serinë e librave të poezisë moderne. Më pas, botoi librin “Veriu i Bostonit” (1914), që i dha reputacion dhe u quajt si libri i vitit. “Ky është një nga librat më revolucionarë të kohës moderne”, – shkruan kritiku britanik, Edward Thomas. Në Angli, Frost u rendit menjëherë përkrah poetëve më të njohur të kohës, si Ford Madox, Ezra Pound…
Stevens dhe Frost, ishin kampionë të zjarrtë të lirisë personale, spontanitetit dhe përçmues të ideologjive, regjimeve dhe materializmit vulgar. Gjithë ky skepticizëm dhe individualizëm nuk përputhej me rrymat majtiste të viteve ’30, ndaj Frosti dhe Stevens e panë veten të sulmuar nga një lumë kritikësh më të rinj se ata. Në vitin 1915, Frost u kthye në SHBA, kurse në vitin 1916 u bë anëtar i Institutit Kombëtar të Arteve dhe Letrave. Në të njëjtin vit botoi librin me poezi “Intervalet e maleve”. Leximi i poezive, por dhe shkrimi i tyre nuk i solli gjithnjë kohë të bukura Frostit, pasi shpesh ai bëhej nervoz dhe kishte debate me miqtë e familjen. Në një kohë të shkurtër, Frost do të humbiste katër nga fëmijët e tij. Frost shpesh pushtohej nga depresioni, gjithnjë i udhëhequr nga vetëdëshira se meritonte çmimin “Nobel” në letërsi. Vitet e fundit të jetës ai ua kushtoi udhëtimeve, madje kur ishte 80-vjeç shkoi në Brazil për të takuar Folknerin.
Presidenti John Kennedy, shprehet: “Ai i ka lënë kombit të tij vargje të pavdekshme, nga të cilat amerikanët do të gjejnë gjithnjë kënaqësi dhe mirëkuptim”.
Robert Frosti shkroi në dualitetin poezi-pushtet, pasi poezinë e shihte si mjet për të shpëtuar pushtetin nga vetvetja. Kur pushteti e çon njeriun drejt arrogancës, poezia i kujton caqet që duhet të respektojë. Kur pushteti ngushton hapësirat e shqetësimeve, poezia i kujton pasurinë dhe diversitetin e ekzistencës së njeriut. Kur pushteti korrupton, poezia pastron.
Mik i Natës
Kam qenë njëherë mik me natën.
Kam ecur jashtë në shi dhe përsëri në shi
Duke shkuar edhe përtej dritës më të largët.
Kam parë edhe rrugën më të mërzitshme të qytetit.
Kam kaluar nga roja e natës në zonën e tij të mbulimit
Dhe kam ulur sytë pa dëshirë për sqarime.
Kam qëndruar i heshtur duke ndalur rrapëllimën e këmbëve
Kur që nga larg një britmë e ndërprerë
U dëgjua nga shtëpitë nga një rrugë tjetër.
Por jo për të më thirrur apo për të më thënë mirëmbetsh
Dhe më tej akoma tek një lartësi e pazakonshme
Një orë e ndritshme kundrejt qiellit.
Shpallte se koha nuk është as e drejtë as e gabuar.
Kam qenë mik i natës në një të shkuar.
Shpesh poeti është gjykuar si këngëtar i nostalgjisë së ëmbël dhe konservator social dhe politik, i cili kënaqej duke u pëshpëritur ditëve të bukura të së kaluarës. Megjithatë, universaliteti i temave të Frostit, autenticiteti emocional i zërit të tij dhe shkëlqimi i teknikës që mbart vargu i tij, për shumicën mbetet poeti i fundit i vetmi që vlen të lexohet dhe i vetmi që ka rëndësi.