MENU
klinika

Nga Jean -Claude Faveyrial

Romanizimi i Ilirisë

10.03.2019 - 18:22

Në shekullin e katërt para Krishtit, historianët grekë quanin Iliri bregun lindor të Adriatikut, që prej kreut të këtij deti në veriperëndim, deri në malet Arokeraune në jug, ku fillonte Epiri.

Në brendësi të tokës, Iliria shtrihej deri në Sava në verilindje, dhe në lindje deri në degën e Drinas midis Bosnjës e Serbisë. Mali Skardus i ndante më tej, nga Maqedonia dhe Traka.E përshkuar nga verilindja dhe juglindja nga zgjatimi i Alpeve Juliane, ajo ishte e pasur me ishuj, strofulla të piratëve, dhe ndahej nga tre lumenj kryesorë: Kerka ose Tatius që derdhet në det në Skardona, Narenta ose Naro, dhe Drini jugor ose Drilo.

Iliria jugore përfshihej midis Drinit dhe maleve Akrokeraune. Roma fillimisht pushtoi vetëm Ilirinë jugore, Maqedoninë dhe Epirin. Pushtimi i Ilirisë veriore ishte vepër e Oktavit para betejës së Aktit. Por, këtu, është me rëndësi të përmendim atë çka vë në dukje Apiani.

-“Romakët -thotë ky autor -nënkuptonin me emrin e përbashkët të Ilirëve, jo vetëm Dalmatët dhe fiset fqinje, por edhe Panonët, Myzët, dhe të gjithë popujt që gjendeshin në të djathtë të rrjedhës së poshtëme të Danubit. Unë nuk kam arritur të zbuloj -shton historiani i lartpërmendur -se kujt i ka lindur kjo bindje. Por, padyshim, kjo dëshmohet në ditët e sotme, dhe tributi që paguhej prej gjithë këtyre popujve, që prej Pont Euzinës (Deti i Zi) e deri në Istria, quhet në mënyrë të përbashkët tributi Ilir”.

romanizimi i ilirise-konica.al

Puansinjo e shpjegon emrin e përbashkët të Ilirisë si të dhënë gjithë këtyre popujve prej kthimit të Ilirikumit në dukat ose në qeverisje ushtarake.

Por Desdevizi e gjen arsyen në një homogjenitet të racës, se të gjithë këta popuj ishin ilirë (Maqedonia e lashtë, fq. 59). Sidoqë të jetë, duke u bërë provincë e perandorisë së madhe romake dhe duke u shtrirë, -përfshirë këtu Maqedoninë dhe Epirin, -nga Adriatiku deri në Detin e Zi, Iliria bënte shumë më tepër një jetë të përbashkët se në të gjitha të tjerat, në Francë, në Angli, në Spanjë, në Itali. Dhe në këtë jetesë të përbashkët, ajo mori formën romake dhe pranoi zakonet që ishin krijuar në krahun lindor të qytetërimit kristian, pa intrigat antikristiane të frymës bizantine. I nisur nga viti 168 para Kr., me pushtimin e Shqipërisë, Epirit dhe Maqedonisë, romanizimi i gadishullit ilirjan u përmbush në vitin 46 të erës kristiane, me shndërrimin e Trakës në provincë romake.

Dy elementë kontribuan për këtë: shkollat dhe legjislacioni. Me thënë të vërtetën, Roma nuk iu diktonte të mundurve, as gjuhën dhe as ligjet e saj.

Por ajo ngrinte një shkollë latine në të gjitha qendrat kryesore, në mënyrë që të mund të kuptoheshin me guvernatorët, pasi guvernatorët duhet të flisnin vetëm latinisht, madje edhe në Greqi. -thotë Maksim Valeri. Roma u jepte, ndër të tjera, një legjislacion të veçantë atyre që ia kërkonin atë. Maqedonasit e morën një të tillë pasi ia kishin kërkuar Pal Emilit, dhe -thotë Tit-Livi, –“ai duket si të ishte hartuar, jo për armiq të mundur, por për aleatë që kishin kryer shërbime të rëndësishme” (lib. 4, k. 32). Ka të ngjarë që Anici të ketë përpiluar të tillë të ngjashëm për gjithë Shqipërinë, prej gjirit të Kotorrit deri tek ai i Ambrakisë.

Por për të respektuar zakonet kombëtare, Roma i jepte emrin e qytetarit romak kujtdo që e meritonte atë.

Ka të ngjarë që, qysh në kohën kur perandori Karakala e shtriu të drejtën e qytetarisë romake në të gjithë qytetarët e perandorisë, zakonet vendase duken se shfuqizohen në parim (viti 211-217). Sidoqoftë, romanizimi tashmë kishte vepruar aq shumë në Iliri mbi elementët kombëtare të cilët përbënin vendin, dhe kishte arritur ta bënte atë, falë krishtërimit, një vend pothuaj aq homogjen, saqë Konstantini i Madh i ktheu krahinat ilire në një shtet të dallueshëm, të udhëhequr nga nipi i tij Dalmati. Kush ishte ai që shfuqizoi urdhëresat testamentare të perandorit të madh? Fraksioni helen i lidhur pas arianizmit dhe që ishte i gjithëpushtetshëm në atë kohë. Ky fraksion veproi kundër vullnetit të Konstantinit. Dalmati që kishte ardhur në Kostandinopojë, u masakrua.

Shtetet e këtij princi, duke ndjekur idetë e Konstantinit, duhej të krijonin një bashkësi të aftë për tu rezistuar barbarëve.

romanizimi i ilirise-konica.al
romanizimi i ilirise-konica.al

Por të përçarë, të dobësuar, të kthyer në të paaftë të përballonin armikun, ata do të bëhen pronë pasi kishin qënë prè e tyre. Qëllimi ynë nuk është të ripërshkruajmë tallanditë e dhimbshme të gadishullit ilir në kohën e dyndjeve barbare. Por, kjo është një pikë mbi të cilën, sot më tepër se në çdo kohë tjetër, është e rëndësishme të krijohet një mendim i qartë. Si ndodhi në të vërtetë, që në Romania (provincat ilirjane), nuk ndodhi ashtu si në Francë, në Itali, në Spanjë, madje edhe në vetë Anglinë? Me fjalë të tjera, si ndodhi që sllavizmi mbizotëroi këtu mbi romanizmin? Cili ka qënë shkaku? Pafuqia e Grekëve dhe fryma e tyre përçarëse. I vendosur në Bizant në qendër të romanizmit, helenizmi i mori emrin, por nuk kreu veprat e tij. Në vend që t’i përmbahej vendimeve të paevokueshme të koncilëve ekumenikë, dhe të linte pushtetin civil të përqëndronte vëmendjen e tij në mbrojtjen e kufijve, ai e ktheu pallatin perandorak në një arenë teologjike. Dhe është diçka që bie në sy se, pikërisht në ato kohë kur kufiri ishte më i kërcënuar se kurrë, dhe kur krahinat ilire pësonin shkatërrimet më të rënda nga Gotët, Hunët, Avarët, -Grekët ziheshin me më shumë tërbim.

Me një fjalë, në momentin kur krahinat binin njëra pas tjetrës në duart e barbarëve, ata bënë saktësisht atë çfarë do të bënin edhe në çastin kur Turqit pushtuan Kostandinopojën (Studime historike mbi Vllehët e Pindit, fq. 213-214).

Shënime:

-Skardus (Skardi) -malet e Sharrit, në veriperëndim të Shkupit.

-Alpe juliane -Pjesa më lindore e alpeve që ndajnë Istrinë nga Panonia. Nëpër këto alpe kalonte rruga nga Emona

(kryeqendër në veriun dalmat) në Akuila që lidhte Italinë me Ilirikun.

-Kerka ose Tatius -në veri të Dalmacisë.

-Skardona -qytet i Liburnisë, në qendër të Dalmacisë, mbi Salona.

-Narona (Narenta) -qytet buzë lumit Narenta, përballë ishujve dalmatë, në veri të Malit të Zi.

-Apiani -historian i lindur në Aleksandri të Egjyptit, (fundi i shekullit I-170 e.s.), autor i “Historia Romake”

(Luftërat civile), ku jepet kuptimi i Ilirisë në këndvështrimin romak.

-Valeri Maksimi -shkrimtar romak i fillimit të shekullit I, autor i “Ngjarje e thënie të shënuara”.

-Karakala -perandor romak (211-217), djali i Septim Severit.

-Dalmati -M.A.Probi i lindur në Sirmium (qytet në Myzinë veriore, mbi Sava), perandor romak (276-282).

-Grekët -ky përcaktim nuk është për grekët si kombësi, por për fraksionin kundër Konstantinit që krijoi ndarjen e

perandorisë prej sektit arianist.

*Fragment nga “Historia e Shqipërisë ” nga Jean-Claude Faveyrial

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit