MENU
klinika

Libri për Kosovën

Rrëfimi i ekspertes angleze për krimet e serbëve në Kosovë

03.03.2019 - 19:18

Pa thënë ndonjë fjalë, eca përtej kordonit të burrave dhe e përqafova atë derisa e tejkaloi gjendjen me të qara.

Dame Sue Black, 57 vjeçare, kishte marrë detyrën e identifikimit të trupave të fëmijëve të masakruar në Kosovë gjatë luftës së vitit 98-99.

Tërë këtë përvojë, por edhe përvoja tjera nëpër botë, profesoresha Sue Black i ka përmbledhur në librin e saj të memoareve të quajtur “All That Remains” (Gjithçka që mbetet) ku ajo flet për tmerret që ka parë në Kosovën e pasluftës. Ajo thotë se edhe pas gjithë këtyre pamjeve të tmerrshme nuk ka ankthe dhe shton se “janë të gjallët që më tmerrojnë”.

Dame Sue Black është një nga anatomistet dhe antropologet më të shquara të forenzikës në botë. Ekspertiza e saj ka qenë qenësore për shumë raste kriminale të profileve të larta, dhe më 1999 ajo kishte udhëhequr antropologët për punën e Ekipit Britanik të Forenzikës gjatë hetimeve për krimet e luftës në Kosovë.

Gazeta britanike “Mirror” ka nxjerrë një ekstrakt nga ky libër ku ajo flet për Kosovën:

Qershorin e vitit 1999, shkova në Kosovë për të ndihmuar në identifikimin e një numri të madh të trupave dhe t’i vërtetoja deklaratat e dëshmitarëve në mbështetje të krimeve të luftës kundër Sllobodan Millosheviqit dhe ndihmësve të tij.

Erdha në “vendin e parë të aktakuzës” dhe vesha kostumin tim të zakonshëm të bardhë për skena të krimit, dorezat e dyfishta latex dhe çizmet e zeza të punës – në temperaturë prej 38 gradë celsius.

Më 25 mars, forcat speciale policore serbe kishin mësyrë fshatin e Krushës së Madhe.

Njerëz të armatosur kishin ndarë burrat dhe djemtë nga familjet e tyre dhe i kishin tubuar në një shtëpi të braktisur.

Një person i armatosur del tek dera dhe shkrep Kalashnikovin pandërprerë. Bashkëpunëtorët më pas i vunë flakën ndërtesës.

Katërdhjetë burra e djem raportohet të kenë humbur jetën atë natë.

Qëndrova tek dera dhe pash një skenë makthi.

Ishin së paku 30 trupa të hedhur një-mbi-një në një dhomë dhe mbi 10 të tjerë në një dhomë tjetër, që të gjithë të djegur rëndë dhe të dekompozuar.

Kishin qëndruar aty për rreth tre muaj të nxehtë, vlonin nga krimbat, ishin shpërndarë dhe ishin ngrënë nga kafshët.

Ishte vetëm një mënyrë për të pastruar atë hapësirë dhe ajo ishte ta bënim këmbadorazi, duke mbledhur çdo mbetje.

Qëllimi ishte të mblidhnim pjesët e trupave dhe gjësendet personale që do të mund të ishin të identifikueshme si dhe dëshmitë e krimit përfshirë plumbat dhe gëzhojat.

I pastruam të dy dhomat dhe u vumë sa më shumë shenja identifikimi që mundëm secilit prej viktimave.

Më i moshuari ishte me gjasë në të 80-at, ndërsa më i riu rreth të 15-ave.

Në një vend tjetër, të moshuarit, gratë dhe fëmijët ishin ndarë nga burrat nga një konvoj refugjatësh.

Fëmijët ishin vendosur në një anë të një livadhi dhe u ishte thënë atyre të vrapojnë tek nënat e tyre. Me nënat dhe gjyshërit e tyre të detyruar t’i shikojnë, rrëmbyesit shtien ndaj fëmijëve derisa ata po vraponin.

Kur i vranë, burrat kthyen armët kah gratë dhe të moshuarit.

Një vrasje e ftohtë dhe e kalkuluar e të pafajshmëve. Derisa po i afroheshim varrezës, disponimi ynë u zymtua.

Ishte një vend i neveritshëm ku ishin kryer akte të papërshkrueshme për sportin e njerëzve barbarë.

Trupat ishin zhvarrosur një nga një nga varreza masive. Mbetjet e varrosura kishin gjasa më të mëdha për të qenë më të ruajtura – temperatura nën tokë është më e freskët, që ngadalëson dekompozimin, dhe mbrohen nga grabitqarët.

Por ndonjëherë, gjendja e mirë e mbetjeve mortore e bën më të vështirë punën për ne.

Një vajzë dy-vjeçare ishte vendosur në një qese plastike e shtrirë para meje, ende e veshur me pizhame e me çizme të kuqe.

Detyra ime ishte ta zhvishja, të lejoja policët të marrin rrobat për dëshmi dhe më pas të nisja studimin anatomik, duke zbuluar plagët që e kishin shkretuar formën e saj të imët.

Papritmas ndjeva një batanije qetësie që po mbretëronte.

Ngrita kokën dhe pash një kordon policie që po ma bllokonin pamjen. Njëri nga ekipi ynë kishte bërë një gabim kardinal duke zhvendosur në mendjen e tij fytyrën e së bijës së tij të re në trupin e gjymtuar të kësaj vajze të vogël dhe e kishte të vështirë të pajtohej me atë.

Kështu që kolegët e mi po e bllokonin atë që të shihte fëmijën e vdekur.

Pa thënë ndonjë fjalë, eca përtej kordonit të burrave dhe e përqafova atë derisa e tejkaloi gjendjen me të qara.

Kur kemi të bëjmë me vdekje të tmerrshme të të pafajshmëve, dikush duhet të derdhë lot.

Të kesh zemër të ndjeshme nuk është gjithmonë shenjë e dobësisë. Shpesh është shenjë e humanitetit.