Kostot e ndërtimit e përshpejtuan rritjen në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, indeksi i kushtimit në ndërtimin e banesave u rrit me 1%, niveli më i lartë në tre vitet e fundit.
Ndonëse me ritme të përmbajtura, kosto e ndërtimit po rritet në mënyrë të qëndrueshme që nga mesi i vitit 2016.
Ajo që bie në sy është se indeksi i kostove në ndërtim për tremujorin e katërt 2018 nuk u rrit për shkak të kostove materiale, por nga rritje e kostove për transport, për paga dhe e kostove të tjera.
Çmimi i karburantit dha një impakt në kostot e ndërtimit, duke sjellë rritje në zërin e shpenzimeve për transport, me 1.9%.
Megjithatë, rritja ishte më e ulët krahasuar me tremujorët e mëparshëm, falë rënies së çmimeve në muajt e fundit të vitit të kaluar.
Ndërkohë, shpenzimet për paga në tremujorin e katërt u rritën me 1.1%, nga 0.9% që kishte qenë rritja në tremujorin e mëparshëm.
Rritja e kostove megjithatë u zbut ndjeshëm nga ulja e çmimeve të materialeve. Për të tretin tremujor radhazi, indeksi i kostove materiale pësoi rënie, me 0.5%.
Pavarësisht se indeksi i kushtimit në ndërtim po rritet në mënyrë të qëndrueshme prej dy vjetësh, rritja e kostove ngelet ende shumë e dobët për të ushtruar presione domethënëse në rritjen e çmimeve të shitjes, sidomos po të kemi parasysh marzhet e larta të fitimit në këtë sektor.
Sipas Entit të Banesave, kosto e ndërtimit në Shqipëri është mes 32 dhe 33 mijë lekë për m2, ndërsa çmimi mesatar i shitjes së banesave në kryeqytet është mbi 700 euro për m2, ose rreth tre herë sa kostoja.