Papunësia u rrit lehtë në tremujorin e fundit të vitit 2018, por megjithatë ngelet pranë niveleve më të ulëta të regjistruara në statistika për 30 vitet e fundit.
Sipas Instat, shkalla e papunësisë u rrit në 12.3%, nga 12.2% që kishte qenë në tremujorin e tretë. Ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shkalla e papunësisë në ekonominë shqiptare ka rënë me 1.1 pikë përqindjeje.
Në fakt, tendenca e punësimit në ekonomi rezultoi pozitive edhe në tremujorin e katërt. Për popullsinë në moshë pune, shkalla e punësimit arriti 60%, nga 59.7% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm. Duke iu referuar statistikave zyrtare, ekonomia shqiptare ka arritur shkallën më të lartë të punësimit të regjistruar në periudhën post-komuniste.
Por, rritja e papunësisë ka ardhur kryesisht si rezultat i një përfshirjeje më të lartë të popullsisë në tregun e punës. Shkalla e pjesëmarrjes në tregun e punës arriti në 68.7%, në rritje me 0.4 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin e tretë.
Rritja e forcës së punës me ritëm më të lartë krahasuar me punësimin ka sjellë një rritje të lehtë të shkallës së papunësisë.
Pavarësisht se papunësia u rrit në terma mesatarë, për t’u shënuar në tremujorin e katërt ishte rënia për segmentin e të rinjve. Papunësia për të rinjtë nga mosha 15 deri në 29 vjeç ra në 22.2%, niveli më i ulët historik.
Megjithatë, për të rinjtë shkalla e papunësisë është 10 pikë përqindje më e lartë se mesatarja, çka tregon se përfshirja e tyre në tregun e punës nuk është e lehtë.
Aktualisht, vetëm 41% e të rinjve mes 15 dhe 29 vjeç janë në marrëdhënie pune, shkruan Scan.
Pjesa më e madhe e të rinjve që nuk punojnë janë nxënës ose studentë, megjithatë, rreth 6.5% e tyre klasifikohen si të papunë të dekurajuar, që deklarojnë se nuk po kërkojnë punë ngaqë s’kanë besim se do ta gjejnë.
Sipas ndarjes gjinore, papunësia është më e ulët për femrat, me 11.9%, ndërsa për meshkujt raporti është 12.5%.
Papunësia te femrat është më e ulët sepse ato kanë një përfshirje më të ulët në tregun e punës dhe angazhohen më shumë me detyra shtëpiake.