Kryeministri i vendit Edi Rama nuk i kurseu batutat gjatë mbrëmjes gala të Samitit të Diasporës ku janë ndarë edhe një sërë çmimesh për pjesëmarrësit.
Me sa duket jo vetëm në Shqipëri, por edhe mes Diasporës, kryeministri ka gjetur të tjerë “kazanë mediatik” siç i etiketon ai shpesh mediat. E duke iu referuar disa prej tyre, Rama tha se ato e kanë sharë samitin, por se një gjë të tillë e konsideron të mirë, miku i tij budist, Pandeli Majko.
“Kazani i Diasporës kishte shkruar për samitin tonë. Njëri thoshte samit vakie, tjetri i përçarjes, por po t’i besosh mikut tim budist, Pandeli Majkos, të gjitha këto janë shenja të mira”.
Salla e ka pritur me duartrokitje batutën, ndërsa vetë Rama ka nisur të qeshë.
“Në këtë samit ne kemi mundur të tregojmë për ata që kanë qenë të interesuar të ndjekin panelet, se kemi punuar për të vendosur disa shtylla, qoftë në aspektin logjistik, qoftë që procesi të mos jetë proces ndërveprimi spontan. Pra kemi hedhur një hap tjetër në marrëdhëniet tona”,– vijoi kryeministri.
Kryeministri i dorëzoi sakaq edhe tenorit shqiptar me famë botërore, Saimir Pirgut çmimin “Shqipoja e Artë e Diasporës”, të cilin e këshilloi më tej, t’i jepte krahë shqiponjës.