MENU
klinika

Philip Pullman

Së shpejti vazhdimi i sagës “Në udhëkryq të botëve”

02.03.2019 - 11:11

Aktualisht, Philip Pullman është një nga shkrimtarët më të shitur në botë për fëmijë dhe të rinj. Ai njihet kryesisht përmes trilogjisë “Busulla e artë”, “Thika e mprehtë” dhe “Tejqyra e qelibartë”. Philip Pullman ka lindur në Norwich në vitin 1946 dhe është edukuar në Angli, Zimbabve dhe Australi, para se të vendosej familjarisht në Uellsin e Veriut. Pullman kishte një përvojë 25-vjeçare në profesionin e mësimdhënies në shkolla të ndryshme, para se të bëhej pjesë e Kolegjit Westminster në vitin 1986, ku kaloi 8 vjet duke dhënë leksione në kursin e edukimit.

Libri i tij i parë për fëmijë ishte “Çështja Karlstein” (1982), i cili u pasua nga “Rubini në tym” (1986), i pari në një kuartet librash që shfaqën aventurierin e ri viktorian Sally Lockhart. Autori bën një hulumtim të thellë për sfondin e tregimeve, po ashtu ka shkruar edhe një numër tregimesh të shkurtra, të cilat i quan përralla. Megjithatë, veprat që i dhanë famë e sukses janë trilogjia: “Busulla e artë”, “Thika e mprehtë” dhe “Tejqyra e qelibartë”, libra të cilët janë vlerësuar me disa çmime, duke përfshirë Medaljen e Carnegie për “Tejqyra e qelibartë”, libri më i mirë i vitit për fëmijë, etj. Në vitin 2002 ka marrë çmimin “Eleonor Farjeon” që i dedikohet letërsisë për fëmijë.

Në 2005 Pullman u vlerësua me çmimin Astrid Lindgren, ku shprehet: “Ky është një nder i veçantë që m’u bë nga qeveria suedeze, e cila e jep këtë çmim për shkrimtarët, ilustratorët dhe të tjerë që merren me librin për fëmijë”.

Vëllimi i dytë i trilogjisë së “Librit të Pluhurit” e gjen Lyrën tashmë studente, duke u përballur me problemet e të rriturve, ndërsa udhëton nëpër Evropë dhe në Azi. “Aventura e tyre do t’i largojë ata atdheu drejt një shkretëtire misterioze të Azisë Qendrore, në një qytet që thuhet se përndiqet nga demonët me shpresën për të zbuluar sekretin e pluhurit”.

Pas trilogjisë imagjinare që bëri bujë në vitet 2000, shkrimtari britanik vazhdon aventurat e guximtares Lyra Belacqua në romanin e ri: “Republika misterioze”. Para pak ditësh, vetë autori ka publikuar disa fragmente për lexuesit, në pritje të botimit të plotë në tetor 2019.

Ekzistojnë disa saga, të cilat nuk na lodhin kurrë, pasi bota e tyre është e pasur dhe personazhet komplekse. I pagëzuar “Libri i Pluhurit”, trilogjia e dytë e Philip Pullmanit u prit me vlerësime të shkëlqyera me daljen e parë: “Bukuroshja e egër” në tetor të vitit 2017.  Njohur botërisht për talentin e tregimtarit, falë suksesit botëror të trilogjisë: “Në udhëkryq të botëve” (Mbretëritë e Veriut, Kulla e Engjëjve, Pasqyra e Amberit), Philip Pullman priti pesëmbëdhjetë vjet para se të publikonte librin e ri kushtuar aventurave të heroinës së tij të shfrenuar, Lyra Belacqua. Pullman refuzoi të zbulojë më shumë për librin e ri, nëse në “Republikën misterioze” do t’i referohej kryesisht republikës misterioze të elfëve, qenieve mitologjike, zanave dhe të ngjashmëve. Mbetet për ta zbuluar nëse do të jetë vërtet një libër dedikuar miteve magjike.

Republika misterioze vijon të rrëfejë efektin e pluhurit në jetën e Lyras, si përmes hulumtimeve që ajo i bën subjektit të saj, ashtu edhe nga frika që i shkakton”, – shprehet Pullman.

Një ekstrakt i hershëm tregon konfliktin midis Lyras dhe Pan, pasi demoni e kritikon se është pesimist. “Duhet të jeni optimist. Duhet të mendoni se çfarëdo që të bëni do t’u dalë për mirë…” – tregon Pullman.

Dow e krahasoi librin me klasikun dystopian “Përralla e shërbëtores” dhe “Mos më lër të shkoj”, duke u shprehur se “na tregon një botë paralele më të errët, problemet e të cilave i bëjnë jehonë vetes”. Pullman është shprehur se “Libri i pluhurit” duhet të quhet “Materialet e Tij të Errëta”.