Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të gjykohet tek Krimet e Rënda.
Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur të mos pushojë çështjen dhe të nisë gjykimit e çështjes ‘Tahiri’
Ish-ministri ka kërkuar pushimin e çështjes nga gjyqtarja. Por në rast se kjo kërkesë nuk aprovohet, Tahiri do të kërkojë gjykim të shkurtuar por pa pranuar fajësinë në gjendjen që janë aktet, që të mos ketë zvarritje të çështjes.
Prokuroria për Krime të Rënda i mbylli hetimet më 28 shkurt dhe çoi dosjen e Saimir Tahirit në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.
Ish-ministri i Brendshem, është paraqitur ne Gjykatën për Krime të Rënda, ne shoqerine e avokatit te Maksim Haxhia, rreth orës 10:00 të ditës së sotme.
Tahiri ka folur pas vendimit të gjykatës për nisjen e gjykimit ndaj tij që e vendos zyrtarisht si të pandehur. Në një prononcim për mediat pas seancës 8 orëshe, Tahiri tha se të gjithë kishin shumë gjëra për të thënë por se më e rëndësishmja vjen.
“Zgjati se kam përshtypjen të gjithë kishin gjëra për të thënë lidhur me atë që parashtruan prokurorët. Më shumë se afati 8 orë i zgjatjes së seancës sot, më vjen keq vetëm për ju që u detyruat të prisnit. Ajo që vjen para është më e rëndësishme se ajo që shkoi. Tani shkojmë në gjykim dhe ky është një shans për mua për të treguar atë që kam thënë gjithmonë. nuk dua të merrem me llojin e seancës, me llojin e akuzës. Jam rezervuar të komentoj dhe nuk dua ta bëj dhe tani në respekt të një sistemi që kam kontribuuar dhe unë deri diku”, tha ish-ministri.
Në lidhje me kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar pa pranuar fajësinë, Tahiri tha se e kërkoi në mënyrë që gjykimi të mos jetë një histori zvarritje pafund.
“Prokuroria pretendon atë që pretendon, unë kam shumë më shumë për të pretenduar. Nuk do doja të zgjatej. Do ju kërkoja kujdes të saktësoni. Do vazhdoj të argumentoj atë që kam thënë që në fillim. Nuk kam pikën e lidhjes me këtë çështje”, u shpreh ai.
Sa i përket dosjes së tij që shkoi me karrocë në gjykatë, Tahiri tha se do ndjekë çdo fazë të procesit me përpikmëri.
“Kam pak zor të flas për veten në rastin kur gjendem në këto pozita. Do ndjek me përpikmëri çdo fazë të procesit. nuk jam zënë me askënd. Di t’ju them kur kjo ndodh me mua, imagjino ç’ndodh me njerëzit që s’kanë mundësi të flasin para jush. Nuk jam as hero i heshtur, s’më pëlqen kjo pozita por më vjen keq për njerëzit që vuajnë nga ky sistem drejtësie dhe nuk kanë mundësi të flasin”, tha Tahiri.
I pyetur a ka pasur kontakte me të bashkëakuzuarit, Tahiri mohoi. “Asnjë kontakt”.
Prokuroria për Krime të Rënda i mbylli hetimet më 28 shkurt dhe çoi dosjen e Saimir Tahirit në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”. Sot Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të hedhë poshtë kërkesën e Tahirit për pushimin e çështjes dhe të nisë gjykimin e tij si i pandehur për disa vepra penale.
I pyetur se nga i vijnë sulmet, Tahiri u tha gazetarëve se kur të vijë momenti do t’i dinë të gjitha.
“Edhe njëher, jepini kohën e duhur procesit. Ju do t’i dëgjoni të gjitha. Kur jeni në gjendje të nxirrni nga errësira, gjëra që jua japin prokurorët. Shumë kollaj do e keni të merrni nga unë atë që duhet. Dyshoj shumë fort që ky është sistemi i drejtësisë për të cilën fola.”-u shpreh Tahiri.
Si ndiheni i bërë kurban për hallet e politikës?
Nuk e ndiej veten asgjë nga këto që thatë. Di vetëm të them që drejtësia iu ka shumë borxhe njerëzve. Di të them që në këtë vend në 25 vjet kanë qeverisur njerëz që kanë vjedhur dhe kanë vrarë. Unë nuk kam vjedhur kërrkënd. Nuk ka një qytetar që të thotë më ke futur dorën në xhep. Nuk kam vrarë kërrkënd, çdo kusur që po përjetoj tani, do ia dal deri në fund dhe sigurisht që as më shqetëson shumë. Pastaj komentet nëse jam unë kurbani apo jo, kjo nuk është dhe aq e kollajtë të jem unë, kështu që nuk më shqetëson.
A keni pengje për mënyrën se si keni vepruar si ministër i brendshëm për 4 vite? Sepse nga një ministër kampion jeni një i pandehur zyrtar…
Ky s’mund të jetë momenti kur unë të rrëfej jetën time. Jo unë jam prapë ministër kampion të jesh e bindur. Atë që kam bërë për policinë e shtetit nuk i kthehem kurrë mbrapa.