MENU
klinika

Një 'luftë' fjalësh

SHBA-Rusi, betejë për ndikim në Venezuelë

26.03.2019 - 16:21

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë tashmë në një betejë për ndikim në Venezuelën e goditur nga kriza, dhe Uashingtoni dhe Moska kanë bërë “tregti” për ndërhyrjen në vendin e Amerikës së Jugut.

Të hënën, SHBA akuzoi Rusinë për tensionet politike në Venezuelë. Kjo bëri që Kremlini të përsëriste pretendimin e tij se Shtëpia e Bardhë po përpiqet të përgatisë një “grusht shteti”.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së Mike Pompeo diskutoi mbi krizën enë Venezuelë me homologun e tij rus Sergei Lavrov nëpërmjet telefonit të hënën.

“SHBA nuk do të rrijë duarkryq ndërkohë që Rusia përkeqëson tensionet në Venezuelë,” tha Pompeo, sipas një deklarate të bërë publike nga Departamenti i Shtetit të hënën.

“Ndërhyrja e vazhdueshme e personelit ushtarak rus për të mbështetur regjimin e paligjshëm të Nicolas Maduro në Venezuelë rrezikon zgjatjen e vuajtjeve të popullit venezuelian”, tha Pompeo duke kritikuar sjelljen jokonstruktive të Moskës.

Në përgjigje, Lavrov i Rusisë tha: “Përpjekjet e Uashingtonit për të bërë një grusht shteti në Venezuelë dhe kërcënimet kundër qeverisë së tij të ligjshme ishin një shkelje e Kartës së OKB dhe ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti sovran”, sipas një deklarate të ministrisë së jashtme të hënën.

Rusia ka qenë prej kohësh një aleat i Venezuelës dhe mbështetje për industrinë e naftës. Moska dhe Karakasi kanë kërkuar të përmirësojnë marrëdhëniet diplomatike në muajt e fundit, në një kohë kur lidhjet midis SHBA dhe Venezuelës janë përkeqësuar në mënyrë dramatike.

SHBA ka kërkuar të shtojëpresionin ndaj Rusisë për të shkëputur lidhjet e saj diplomatike, ekonomike dhe ushtarake me Venezuelën, por pa asnjë dobi.

Presidenti Donald Trump vazhdimisht ka refuzuar të përjashtojë mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në Venezuelë dhe udhëheqësi i opozitës në vend, Juan Guaido, më parë i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të “mbajë të gjitha opsionet e hapura”.

Ndërkohë, më shumë se 50 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të Amerikës Latine dhe Europiane, kanë njohur Guaidon si udhëheqës legjitim i Venezuelës.

Kjo e ka çuar Venezuelën në një territor të paeksploruar, dhe tani ka një qeveri të njohur ndërkombëtarisht, pa asnjë kontroll mbi funksionet shtetërore, që ecën paralelisht me regjimin e Maduro-s.

Udhëheqësi socialist akuzohet për gjendjen e keqe ekonomike në vend, dhe si rezultat, rreth 3 milionë Venezuelanë janë larguar jashtë vendit gjatë pesë viteve të fundit për t’i shpëtuar kushteve të përkeqësuara të jetesës.