MENU
klinika

I fajësuan për ndërprerjen e energjisë

SHBA tërheq stafin diplomatik nga Venezuela

12.03.2019 - 10:41

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të tërheqin të gjithë stafin e mbetur diplomatik nga Venezuela, pasi Nicolás Maduro akuzoi Donald Trumpin për krijimin e një komploti “demonik” për ta larguar atë nga pushteti duke paralizuar sistemin elektrik të vendit me një “sulm elektromagnetik” imperialist.

Sekretari i shtetit, Mike Pompeo, njoftoi vendimin për të “boshatisur” ambasadën amerikane në kryeqytetin e vendit të goditur nga kriza, Karakas, të hënën vonë.

“Ky vendim pasqyron situatën e përkeqësuar në Venezuelë, si dhe përfundimin se prania e stafit diplomatik amerikan në ambasadë është bërë një pengesë për politikën amerikane,” shkroi Pompeo.

Armiqtë politikë të Maduro dhe shumë specialistë besojnë se ndërprerja katastrofike mbarëkombëtare e energjisë që nisi të enjten e kaluar, dhe ende nuk është zgjidhur ende është rezultat i viteve të keqmenaxhimit, korrupsionit dhe paaftësisë.

Foto e marrë nga The Guardian

“Ne jemi në mes të një katastrofe që nuk është rezultat i një stuhie, që nuk është rezultat i një tsunami”, tha për CNN të dielën, Juan Guaido, kreu i opozitës, që lufton për të rrëzuar Maduro. “Është produkt i joefikasitetit, paaftësisë, korrupsionit të një regjimi që nuk kujdeset për jetën e venezuelanëve”.

Por të hënën, Maduro ia hodhi fajin Shtëpisë së Bardhë, në atë që kritikët e quajtën si një përpjekje cinike për të shmangur kritikat ndaj përgjegjësisë së regjimit të tij.

“Qeveria imperialiste e Shteteve të Bashkuara e urdhëroi këtë sulm,” deklaroi Maduro në fjalimin e tij prej 35 minutash. “Ata erdhën me një strategji lufte të llojit që mendojnë vetëm këta kriminelë, të cilët kanë qenë në luftë dhe kanë shkatërruar popullin e Irakut, Libisë, Afganistanit dhe Sirisë. Maduro pretendoi se SHBA-ja kishte kryer sulmin për të krijuar një gjendje dëshpërimi dhe konflikti të gjerë, që do të justifikonte një ndërhyrje të huaj dhe pushtimin ushtarak të Venezuelës.

Foto e marrë nga New York Times

“Fitorja na takon neve”, deklaroi ai. “Ajo që mund të jeni e sigurt është se herët a vonë, në ditët në vijim, ne do ta fitojmë përfundimisht këtë betejë … Ne do të fitojmë – dhe ne do ta bëjmë atë për Venezuelën. Ne do ta bëjmë atë për atdheun tonë. Ne do ta bëjmë atë për ju … ne do ta bëjmë për shkak të së drejtës së popullit tonë për lumturi “.

Maduro ka luftuar për mbijetesë politike që nga janari kur Guaido shpalli veten udhëheqës legjitim të Venezuelës dhe u njoh me shpejtësi si president i përkohshëm nga dhjetra vende perëndimore duke përfshirë SHBA dhe Britani.

Shumë kundërshtarë të Maduro-së, të cilët e fajësojnë atë për një kolaps shkatërrues ekonomik që ka shkaktuar krizën më të rëndë të migracionit në historinë e kohëve të fundit të Amerikës Latine, tallen me pretendimet e tij se ndërprerja është pjesë e një komploti të Shtëpisë së Bardhë.

Nga The Guardian

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN