Pas luhatjeve të mëdha kohët e fundit në peshëngritjen shqiptare, ka ardhur koha që kuqezinjtë tanë të pretendojnë për medalje, pse jo, ari.
Më datat 6-13 prill, në Batumi të Gjeorgjisë, do të zhvillohet Kampionati Europian i Peshëngritjes. Eventi më i rëndësishëm i shtangës në “kontinentin e vjetër” pritet me interes nga peshëngritësit shqiptarë.
Federata Shqiptare e Peshëngritjes do të përfaqësohet në këtë event me 5 shtangistë, të gjithë kampionë, të cilët synojnë të rikthehen me medalje.
Nuk ka asnjë peshëngritëse femër, çka tregon se pas rasteve të dopingut ky sport nuk po rigjen më emra të mëdhenj në këtë kategori.
Pesë peshëngritësit e përzgjedhur nga FSHP-ja janë: Briken Calja, Erkand Qerimaj, Daniel Godelli, Krenar Shoraj dhe Endri Karina, të cilët do të shoqërohen nga trajnerët përkatës.
Delegacioni kuqezi në Europianin e shtangës
Pesha 73 kg, Briken Calja
Pesha 81 kg, Erkand Qerimaj
Pesha 81 kg, Daniel Godelli
Pesha 89 kg, Krenar Shoraj
Pesha 102 kg, Endri Karina
Trajnerë: Sokol Bishanaku, Zef Kovaçi, Gerald Toska