Pas pak ditësh hyn në fuqi ligji i ri për Kadastrën, që sjell shkrirjen në një institucion të vetëm të Agjencisë së Legalizimeve dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Ndër të tjera, ligji përcakton edhe hapat që duhet të ndiqen për korrigjimin e gabimeve në të dhënat kadastrale.
Referuar ligjit të ri, gabimet që vijnë nga veprimtaria e drejtorisë vendore korrigjohen pas konstatimit që bën drejtori vendor ose Drejtori i Përgjithshëm kryesisht, struktura përgjegjëse për ankimet ose me kërkesë të personave të interesuar.
Drejtoria kadastrale është e detyruar të korrigjojë gabimet në pasqyrimin e të dhënave në kartelë dhe në hartën kadastrale, në raport me dokumentacionin e pronësisë apo me gjendjen faktike të pasurisë.
Ligji përcakton se korrigjimi i gabimit është shërbim që nuk tarifohet, që do të thotë se pronarët nuk duhet të paguajnë për procedurën që ndiqet.
Në rastet kur gabimi konstatohet në hartat kadastrale, drejtori i zyrës mund të urdhërojë riverifikimin në terren.
Refuzimi për të korrigjuar gabimet e saj e bën përgjegjëse drejtorinë vendore. Ndërkohë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës nuk mban përgjegjësi për gabimet e akteve noteriale të lidhura ndërmjet subjekteve private.