MENU
klinika

Nga The Hill

Si Kina përfitoi nga sulmet e 11 shtatorit…

08.03.2019 - 16:32

Al Kaeda ekzekutoi sulmet e tmerrshme dhe të paprecedentë të 11 shtatorit që synonin që Shtetet e Bashkuara të ndërhynin në Afganistan dhe të mundeshin atje, ndërsa sovjetikët ishin të angazhuar në luftën e tyre të gjatë.

Në të njëjtën kohë, ngjarjet e 11 shtatorit u bënë një fitore e papritur për Kinën. Sulmet i hutuan Shtetet e Bashkuara, duke përqendruar vëmendjen e tyre në Lindjen e Mesme dhe larg zgjerimit të Kinës.

Kinës ia pakësuan pengesat dhe tani është konkurrenti dhe kërcënimi kryesor për interesat dhe pozicionin e Shteteve të Bashkuara.

Që nga 11 shtatori, Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar burime të jashtëzakonshme ushtarake dhe ekonomike në Afganistan, dhe më vonë në Irak, Libi (pas Pranverës Arabe) dhe, kohët e fundit, në Siri dhe Jemen. Fokusi i Uashingtonit ishte i përkushtuar për të fituar “luftërat” e veta kudo në botë.

Por, ndërkohë pati ndryshime relative në bilancin e pushtetit. Më e rëndësishmja nga këto ishte se Kina rriti pushtetin, aftësitë, ndikimin dhe synimet.

Uashingtoni u shfaq i shurdhër dhe i verbër ndaj kërcënimeve konkurruese gjatë përfshirjes në Lindjen e Mesme. Një pasojë e madhe e 11 shtatorit ishte se Shtetet e Bashkuara nuk mundën të kontrollonin rritjen e Pekinit kur mund ta kishte bërë këtë me kosto të ulët.

Rritja ekonomike e Republikës Popullore të Kinës e lejoi atë të krijonte institucione ekonomike ndërkombëtare siç është Banka Aziatike e Investimeve të Infrastrukturës (AIIB) dhe Iniciativa e Brezit dhe Rrugës, të cilat vendosën themelin për një rend ekonomik të ri. Pekini ka përhapur influencën e saj në Afrikë, Azinë Qendrore dhe Jugore, Lindjen e Mesme, Evropë dhe Amerikën Latine.

Në fushën ushtarake, Kina rrit aftësitë e saj konvencionale me armë kibernetike dhe hapësinore, si dhe me zhvillimin e armëve hipersonike. Po aq e rëndësishme, Kina ka profesionalizuar ushtrinë e saj dhe po e përgatit atë për operacione të përbashkëta, kundër Shteteve të Bashkuara dhe të tjerëve.

Më e rëndësishmja e të gjitha, periudha e zgjerimit të pakontrolluar lejoi fuqizimin e Xi Jinping dhe braktisjen e qasjes së Deng Xiaoping në politikën ndërkombëtare.

Kështu, Shtetet e Bashkuara përballen me një udhëheqës i cili ka një strategji të dominimit kinez, megjithëse ai thotë se Kina nuk do të kërkojë dominim ekonomik global. Ai është një udhëheqës i guximshëm, i vendosur të sfidojë Shtetet e Bashkuara dhe ka gjasa të arrijë fitoren deri në vitin 2049, centenari i Revolucionit Komunist.

Pra, dukshëm Kina është përfituesi strategjik i 11 shtatorit dhe vendimeve të Uashingtonit pas tij. Kina veproi me guxim për të forcuar rritjen e saj mbresëlënëse, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara e kishin fokusin e tyre diku tjetër.

Sot Kina mund të jetë konkurrenti më i frikshëm që Shtetet e Bashkuara kanë hasur ndonjëherë. Nëse Kina do t’i mposhtë Shtetet e Bashkuara, mbetet pyetja e shekullit 21, por duhet ende kohë që Shtetet e Bashkuara ta kuptojnë sfidën dhe të reagojnë.

Bradley A. Thayer, Ph.D., është profesor i shkencave politike në Universitetin e Teksasit, San Antonio. Ai është bashkëautor, me John M. Friend, i librit “Si Kina e sheh botën: Han-Centrizmi dhe Bilanci i Fuqisë në Politikën Ndërkombëtare” .