MENU
klinika

Këshilla

Si të zgjidhni problemin me diarrenë përmes ushqimeve?

06.03.2019 - 09:16

Diarreja është një problem i shpeshtë që në pjesën më të madhe të rasteve ndalon vetë. Mjekët thonë se mund të ndodh si një efekt anësor i mjekimit, ose mund të provokohet nga sëmundjet inflamatore të zorrëve.

Por krahas tyre me ndikim janë edhe ushqimet që konsumojnë, që në jo pak raste mund të bëhen shkak për diarre të zgjatur. Diarreja mund të shoqërohet me dhimbje barku, fryrje barku dhe gazra, nauze dhe nevojë urgjente për të shkuar në tualet. Në varësi të shkakut personi mund të ketë edhe gjak në feçe.

Çfarë mund të bëjmë për ta ndaluar sa më shpejt diarrenë?

Përpiquni të qëndroni larg kurimit të diarresë me anë të ilaçeve të marra pa recetë dhe mundohuni të përgatisni zgjidhje natyrale për ndalimin e saj, thuhet në një lajm të botuar në revistën “Reader’s Digest”.

Lëngu i mishit të pulës ose lëng frutash: Lëngu i mollës apo ai i mishit të pulës do të zëvendësojnë mineralet dhe kripërat e humbura nga diarreja. Qëndroni larg lëngut të portokallit, ananasit, domates dhe frutave apo zarzavateve të tjera, sepse acidet e tyre do të dëmtojnë zorrët e infektuara nga virusi. Pini pak nga pak nga lëngjet e këshilluara pak më sipër dhe përsëriteni këtë veprim çdo gjysmë ore.

Përdorni orizin: Orizi i bardhë i hap rrugë kapsllëkut. Konsumojeni pak nga pak orizin e bardhë të gatuar pa yndyrë derisa t’ju kalojë diarreja.

Qetësohuni me çajin e kamomilit: Me anë të veçorisë së tij relaksuese, çaji i kamomilit mund të lehtësojë diarrenë. Krahas kësaj, do të lehtësojë edhe dhimbjet e barkut të shkaktuara nga diarreja.

Mjalti: Janë të shumtë ata popuj të cilët e kanë përdorur mjaltin në kurimin e diarresë. Hidhni 4 lugë mjaltë në një gotë me ujë të nxehtë dhe pijeni pasi të ftohet pak. Mjalti është efektiv në kurimin e diarresë.

Pini ujë me uthull: Nëse diarreja është shkaktuar nga një infeksion bakterial, uthulla e mollës mund të jetë një zgjidhje e mirë për ta ndaluar atë, sepse përmban veçorinë antibiotike. Pektina e gjendur tek uthulla e mollës ndihmon në lehtësimin e spazmave të zorrëve.

Pure me mollë: Pureja e mollës përmban pektinë e cila ndihmon në rregullimin e lëvizjeve të zorrëve. Nëse konsumoni një fetë buke të thekur të lyer me pure molle, nuk do t’ju përzihet as stomaku.

Praktikoni dietën ‘Brat’: Kjo është një dietë e sigurt kundër diarresë, sepse përmban banane, oriz, pure molle, bukë të thekur dhe çaj. Në të njëjtën kohë do t’ju mbajë të ngopur.

Provoni çajin e zi: Lënda Tanin e gjendur tek çaji i zi vepron mbi shtresat mukus të zorrëve. Kjo ndihmon në thithjen e lëngjeve nga trupi dhe në lehtësimin e infeksionit të zorrëve. Krahas kësaj, edhe boronicat apo thanat ndihmojnë në lehtësimin e diarresë.

Përgatisni çaj me lëkurë portokalli të freskët: Lëkura e portokallit vë në lëvizje sistemin tretës. Hiqni lëkurën e një portokalli dhe ndajeni në copa të vogla. Vendosini pjesët në një çajnik dhe hidhini sipër ujë të valuar. Prisni derisa të ftohet pak. Kullojeni dhe pijeni të ëmbëlsuar me mjaltë.