MENU
klinika

Deklarata

Veseli ankohet për vizat: BE e padrejtë me Kosovën

02.03.2019 - 13:29

BE-ja nuk po tregohet e drejtë me Kosovën, tha kryetari i parlamentit Kadri Veseli pas takimit me përfaqësuesit e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian.

Shqetësimin e tij, kryeparlamentari e përcolli përmes një postimi në Facebook.

“BE-ja është treguar e padrejtë me Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave. I kemi plotësuar të gjitha kriteret, prandaj qytetarëve tanë duhet t’iu mundësohet sa më parë lëvizja e lirë në Zonën Shengen”, ka shkruar Veseli.

Ai shtoi dhe një herë se përsa i takon dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Prishtina mbetet e përkushtuar për një marrëveshje finale me Beogradin, e cila sipas tij, duhet të rezultojë me njohje reciproke.

Dialogu ndërkohë është ndërprerë prej autoriteteve serbe, të cilët refuzojnë vazhdimin e bisedimeve pa u hequr me pare taksa prej 100 për qind që ekzekutivi kosovar ka vendosur mbi importet e Serbisë dhe Bosnjës.

Shtetet e Bashkuara e kanë përsëritur disa herë se mospezullimi taksës përbën qëndrim kundër interesave të SHBA-së.