Vetë lajmi që zgjedhim të japim është qëndrim. Përmbajtja e tij, ajo që nxëmë nga lajmi, nxitja që përftohet, nëse nxit për më tej për të bërë diçka më shumë për atë që duhet, qoftë dhe në gjëra që nuk duken të një rëndësie alarmante, që nuk bërtiten në protesta, më shtyjnë të shtjelloj në këto radhë, diçka nga ato që pashë, disa paralele të zbehta rumune.
Isha i ftuar në Bukuresht nga Lidhja e Shqiptarëve në Rumani, “ALAR”, tashmë e shquar për veprimtaritë e saj social-kulturore. Sapo kishin botuar një libër timin dhe do ta përuronim së bashku.
Vizita ime zgjati tri ditë, por ngjante më shumë sesa një veprimtari e zakonshme e shoqatës, kishte dinjitetin e institucionalizuar, jo vetëm sepse në fund të fundit fondet dhe mbështetja jepeshin nga shteti, teksa lajmin e dhanë edhe mediat shtetërore dhe në veprimtari do të merrnin pjesë dhe deputetë e shtetarë.
Ka diçka më tej, që lidhet me traditën, me qytetarinë europiane dhe me atë sesi duhet vepruar për të qenë ata që duhet.
Te ne po harrohen si shpesh ngjarjet e vërteta kulturore, d.m.th kultura e lartë dhe përgjegjshmëria shtetare ndaj saj, që s’është thjesht dukje protokollare, por dhe normalitet i së përditshmes së përzgjedhur.
Ja, së bashku me time shoqe, se ishim ftuar të dy, një gjest tjetër europian ky, në shoqëri me koordinatorin kulturor të ALAR-it, dr. Luan Topçiu, si dhe me presidentin e kësaj shoqate, dr. Radu Cosmin Savulescu, nisëm vizitat.
Shkuam në muzeume të artit, të historisë dhe të letërsisë, në librari me shumë kate, duhen vlerësuar këto si bëma njohjeje, të vlerësimit dhe ecjes.
U futëm në vende të shenjta, u endëm rrugëve trotuargjera dhe ndalëm para skulpturave të mrekullueshme të shkrimtarëve kombëtarë si ajo e Karaxhales gjithë gazmend dhe e Emineskut (shtatore nudo siç duhet të jetë poeti para poezisë së vet) apo të grupeve skulpturore, gjithë ngjarje dhe lëvizje si ajo aq gazmore e personazheve të Karaxhales para teatrit dhe ato tronditëset, në sheshet e njohura të revolucionit, ku populli u ngrit kundër diktaturës dhe diktatorit, ku mes përmendoreve dhe kryqeve të shumtë, në njërin prej tyre lexohej se në atë vend nuk do të shkelnin më këmbët e neokomunistëve.
Më tej, imazhi i një kantautori të vrarë në ato ditë historike dhe kitara e tij e mermertë.
Në Shqipëri përftohen ndjesi të mangëta, të një harrese të qëllimtë dhe shpërdorim e banalizim të qëndresës dhe të heroizmit. Edhe heronjtë gati janë të ndarë. Ndërkaq, nuk ka një shtëpi të shkrimtarëve dhe të artistëve, jo më muze letërsie, që Bukureshti kishte dy. Kujtoj bustet e vëllezërve Frashëri në Tiranë, etër të Kombit, ku më shumë duket kamerieri i lokalit pranë se ata, që sikur e kanë humbur komunikimin me kohën dhe njerëzit. Aty do të duhej një panteon dhe jo piramida që kalbet përballë. Shtatoret e Abdylit, Naimit, Samiut, e udhëheqësve kombëtarë të veprimit, të shpirtit dhe të mendjes, duhet të kishin flakën e pashuar te këmbët apo shkëmbin pas shpatullave, me citate të tyre të gdhendura.
Në Bukuresht, po edhe në qytete të tjera të Rumaninë, ndërkaq ka shenja dhe memoriale për Shqipërinë dhe shqiptarët. Diku do të gjesh bustin e Skënderbeut si hero europian, por dhe të Ismail Qemalit, si themelues të shtetit modern shqiptar, ja, një pllakë, e shkruar dhe shqip, ku tregon kishën se ku Fan Noli mbajti meshë në gjuhën shqipe e diku është Naum Veqilharxhi i abetares së parë etj., dhe kujtoj se gjithë vepra mahnitëse e Naimit tonë është shtypur këtu dhe jo vetëm, ndërsa në parkun e madh “Herastrau”, plot me skulptura të shkrimtarëve e artistëve të njohur nga bota, si Viktor Hygo apo Tolstoi, Gogoli, Eminesku etj., është dhe ai, Naimi ynë. Në piedestalin që kohë më parë, teksa shkulnin Leninët (Stalinët qenë flakur me kohë), u hoq Maksim Gorki i socrealizmit dhe u vu Naim Frashëri, falë dhe punës dhe zellit të dr. Topçiut. Shumëçka këtu tani ka dhe ndihmesën e tij.
Po, a do ta kishin këtë guxim në Shqipëri? Në Pallatin e Muzeut Antropologjik të Bukureshtit, në sallën Acvarium, u zhvillua takimi në përurim të librit tim me poezi “Aripa Franta”, (“Flatra e mundur”/e thyer), botim dygjuhësh, i shtëpisë botuese “Asdreni” (i atij që u solli nga Rumania shqiptarëve Himnin Kombëtar që kanë sot).
Pjesëmarrja në takim m’u duk e gjerë, me miq të Shqipërisë dhe të poezisë së saj, të kulturës, me shkrimtarë e artistë e studentë dhe ish-të burgosur politikë të Rumanisë. U shtrëngova duart me dhimbje dhe më tringëlluan pranga, jo ishin zhurmat e ekspresit të kafesë përtej.
Takimin tonë e hapi një deputet i Parlamentit të Rumanisë, ai për shqiptarët, Bogdan Alin Stoica, duke përgëzuar veprimtarët për punët e bukura dhe të pranishmit. Po ne a i kemi vërtet të gjithë deputetët në Parlament për shqiptarët dhe jo për interesa partiake e pasurim të vetes? Drejtori ekzekutiv i ALAR, dr. Radu Cosmin Savulescu, nisi të flasë për jetën dhe veprën time, duke e konsideruar një privilegj leximin e saj në gjuhën rumune, një arritje e shkëlqyer e përkthyesve – tha ai – e përgatitësit, studiues dhe kritik arti, dr. Luan Topçiu, dhe bashkëshortes së tij, dr. Renata Topçiu – Melonashi. Sa fjalorë e guida gjuhësore kanë botuar së bashku! E sa antologji kanë botuar e vepra nga të dy letërsitë.
Do t’i bënin dot në atdhe? Gjithashtu, u falënderua dhe drejtori i përgjithshëm i Muzeut Antropologjik të Rumanisë, z. Virgil Stefan Niþulescu, “për mundësinë e këtij manifestimi kulturor në këto mjedise, ndër më prestigjiozet në Bukuresht”. E mori fjalën dhe z. Aledin Amet, sekretari shteti në Departamentin për Marrëdhënie Ndëretnike të Qeverisë Rumune.
Ai përgëzoi Shoqatën Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë dhe për të gjitha veprimtaritë që ajo ka zhvilluar në 2 vitet e fundit, përmes së cilave ruhet dhe promovohet identiteti i pakicës shqiptare në Rumani. Dinjitari i lartë rumun kujtoi rolin vendimtar të gjuhës dhe letërsisë në gjuhën amtare për të ruajtur këtë identitet. Dhe ky libër sot, theksoi ai, ndihmon në ringjalljen e ndjenjave identitare, estetike, por edhe interesin për gjuhën amë. A ka merak të tillë për gjuhën te ne nga shtetarët? Sa lexojnë ata?
Sa për qind u intereson kultura dhe letërsia? Fill mbas viteve ’90, në Parlament, mbaj mend, kishte dhe librari, deputetët blinin nga botimet e reja, ndërsa tani ka mbetur vetëm kafeneja, sherret dhe intrigat që ua kalojnë intrigave të romaneve. Janë shtuar telat me gjemba dhe gomat që djegin protestuesit.
E ftuar speciale në takim ishte shkrimtarja Ana Barton, e njohur dhe si prani publike në të gjithë Rumaninë. Ajo foli për kontaktet e para që ka pasur, para më shumë se dy dekadash, me poezinë tonë. Znj Barton theksoi se shkrimtari dhe vepra e tij nuk mund të ndahen, se mes jetës dhe veprës nuk mund të ketë një dallim. Ajo kujtoi bashkëpunimin që ka pasur me dr. Luan Topciun për përkthimin në botimet rumanisht të veprave të shkrimtarëve të ndryshëm shqiptarë.
“Sa bukur”, – tha ajo,- “që dashuria është atdheu i njeriut”.
Folësit theksuan forcën e mbijetesës gjatë viteve të izolimit nga regjimi komunist, e materializuar me dinjitet dhe talent, jo vetëm përmes krijimtarisë, por dhe veprimtarisë sociale etj. Më preku shumë presidenti i shoqatës së ish-të burgosurve politikë të Rumanisë, z. Mircea Duzineanu, kur tha se përvojat e vuajtjes ngjajnë, poezia juaj është dhe jona, edhe ne kemi bërë poezi në burg. “Do të të ftojmë”, shtoi, “në takimet tona, që të tregosh. Ne do të tregojmë, të fshehësh është gabim dhe mëkat. Në të ardhmen duhet të shkojmë të sinqertë dhe shpirtgjerë”. Po kështu, foli dhe znj. Dorela Alisar, grua që vinte nga persekutimet dhe ajo. Pashë time shoqe në sallë. Gjyshi i saj e përqafoi atë, kur ishte fëmijë, me pranga në duar në prag të shtëpisë dhe s’u panë më…
Qetësi tjetër. Akorde kitare të Daniel Bertesteanu-t. Ngrihet në këmbë aktori i ftuar. Mik i mirë i shqiptarëve të Rumanisë – kështu e prezantuan Angel Rababoc-in nga teatri kombëtar “Marin Sorescu” i Krajovës (e kisha takuar Soreskun dikur…), recitoi disa poezi, duke zgjuar emocione të forta. “Ky aktor kështu ka befasuar publikun dhe në rastin e recitalit të Ditëve të Kulturës Shqiptare në qytetin e tij në Muzeun e Artit vitit e shkuar”, më treguan.
Në fund, sipas ritualit, fjala e poetit. Unë falënderova duke çmuar mikpritjen rumune, interesin ndaj vlerave të përbashkëta, përgëzova Shoqatën “Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë”, duke theksuar se shpesh ato bëjnë më shumë sesa një ambasadë e mbyllur apo i një instituti kulturor (që ne na mungon, jo vetëm në Rumania, e cila ka akademi kulturore në shumë vende të Europës dhe botës, vendi ynë ende s’ka ngritur një të tillë – mendova).
Arritjet e Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë janë të çmuara dhe edukuese. Të ngazëllen kjo mrekulli e dykahëshme, nga njëra anë ajo që bëjnë shqiptarët këtu, mjafton të kujtojmë dy dekadat e fundit, në shpalosjen e vlerave shqiptare, në gjithë spektrin antropologjik, në histori dhe aktualitet, me art, ku mes shkrimtarëve të shquar, artistëve dhe veprimtarëve, vend qenësor zë dhe intelektuali europian, Ambasador i Kombit dhe ky, dr. Luan Topçiu, ndërsjellës i vlerave të përbashkëta e të qëndrueshme. Ndërsa, ana tjetër është populli rumun, intelektualët e tij, politikanët, që mes problemeve të shumta që ka vendi, arrijnë ta pranojnë tjetrin me zemërgjerësi, e lejojnë të shpallet, ia pranojnë programet dhe e mbështesin, në mënyrë që ai jo të humbë apo asimilohet, por ta bëjë vetveten e të integrohet në kontekst europian.
Me Rumaninë, rrugën për t’u futur në Europë, Shqipëria duhej ta kishte më qartë, që megjithëse i pëlqen të krahasohet herë pas here, prapë është larg. Takimi përfundoi me një seancë autografesh që dhashë për të pranishmit e vënë në radhë. Dhe m’u kujtuan radhët tona të dikurshme, aq shumë mjerane për bukë, djathë, vajguri, por dhe radhët e bukura që kisha parë në libraritë e Romës apo në muzeumet dhe teatrot e Uashingtonit. Gjithsesi, ndryshimet edhe te ne janë të shumta e të rëndësishme, të pabesueshme për mirë dhe për keq, por tranzicioni është bërë i lodhshëm tejet dhe korrupsioni e oligarkia kanë formësuar çrregullime sociale, sa akuzohemi si narkovend e varfëri, që mbi jetën rëndojnë si një lloj diktaturë tjetër. Ndërkaq, Televizioni Kombëtar Rumun dhe Radioja Kombëtare po kërkonin intervista. Për poezinë?
Po televizionet te ne, sa politikë e propagandë që kanë, deri dhe mashtrime e shpifje e mediokritet, atë të klanit të pronarëve të tyre, natyrisht jo të gjitha e jo gjithmonë, për fat! Që poezia të mos duket e tepërt dhe e huaj, poeti do të merret dhe me çështjet kardinale të vendit në mbrojtje të fjalës. Se, siç thotë Papa Françesku, cilësia e pemës ashtu siç njihet nga fryti, njihet edhe nga fjalët. “Kush është i mirë, nxjerr nga zemra e goja të mirën. E kush është i keq, të keqen”. Dhe shton plot guxim: “Nga goja nisin edhe luftërat”.
Po, edhe paqja. Në kthim u gjendëm në qytetin e Tuzit në Mal të Zi, pikërisht në ditën historike kur shqiptarët fituan qytetin në zgjedhje, sepse u bashkuan. Fitorja ndihej që më parë, edhe në rrugë, te flamujt shqiptarë që valëviteshin, të fytyrat e bukura të të rinjve. Ndoqëm meshën në kishën shqiptare, e mbushur plot e përplot, teksa kori këndonte shqip. Të gjithë bashkë. Së pari, fitorja është brendshme, shpirtërore, plot besim…