Gjykata për Krime të Rënda ka pranuar paraditen e kësaj të hëne, kërkesën e Izet Haxhisë për hapjen e dosjes ‘Hajdari’.
Izet Haxhija fitoi të drejtën e rigjykimit pas dënimit të marrë në mungesë me 25 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit. Gjyqtarët e Krimeve të Rënda Dhimitër Lara, Nure Ndreni dhe Sokol Binaj vendosën të prishin dy vendimet që kishin dënuar Haxhinë për ta rihapur procesin me një tjetër trup gjykuese në Shkallën e Parë.
Avokati i Izet Haxhisë, Bashkim Nikolla komentoi këtë vendim duke u shprehur se me provat që disponohen, do të provojnë pafajsinë e Haxhisë.
“Hapet e drejta për t’u dëgjuar. Kemi siguruar të drejtën të dëgjohemi. Provat janë materiale, tabulate, dhe dëshmitarë. Me të gjitha këto ne do të provojmë pafajësinë që i është faturuar të përfaqësuarit prej meje”, theksoi ai.
Avokati Nikolla tha se ne krye të listës së dëshmitarëve që do të thirren është Sali Berisha.
Mbrojta e Izet Haxhisë ka depozituar në gjykatë një kërkesë për të dëshmuar 44 persona mes tyre edhe ish kryeministri Fatos Nano, ish kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, ish-kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli dhe shumë gazetarë e politikanë të kohës.