Vrasja e biznesmenit në Shkodër tronditi mbarë opinionin publik. Nardi Polia ka lënë pas një vajzë të vogël 3-vjeçare dhe ndërkohë bashkëshortja e tij është në pritje të një djali.
Kujtojmë që Nardi Polia është vëllai i Pavlin Polia ish-banor i “Big Brother Albania”.
Dhimbje të thellë për Polian kanë shprehur edhe kolegë të tijët.
Gjatë fjalës së tyre në ceremoninë e lamtumirës që u organizuar në periferi të Shkodrës, kolegët e tij të punës kanë kujtuar kafen dhe bisedat e fundit që kanë bërë me 32-vjeçarin.
Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Shkodër, Agim Dardha u shpreh:
“Nardi ka qenë jo thjesht një roje mjedisore në Parkun Kombëtar të Thethit, por ka qenë edhe një udhërrëfyes për ne të gjithë për njohuritë që ka pasur për Alpet dhe dashamirësinë që ka treguar me turistët e huaj dhe Alpet në atë zonë.
Ne si administratë e Zonave të Mbrojtura jemi të gjithë të pikëlluar dhe nuk gjejmë dot fjalët për të përshkruar dhimbjen tonë për kolegun Nard Polia dhe urojmë që shpirti i tij të prehet në paqe. Nardi dje ishte në një ditë pune normale si gjithë të tjerat dhe në drekë rreth orës 13:30 konsuamuam edhe kafen e fundit me të. Nuk e kishim besuar kurrë se një ditë mund të vdiste nga plumbat. Nga mënyra se si komunikonte me kolegët, ne nuk kemi vërejtur asgjë shqetësuese në sjelljen e tij, përveç humorit dhe buzëqeshjes që kishte gjatë gjithë kohës.
Nuk kemi vërejtur asnjë shenjë dhe nga momenti që e kemi njohur dhe që kur kemi filluar punë me të, vetëm humor ka pasur. Edhe dje kur konsumuam kafen nuk kishte asnjë lloj shqetësimi apo problem në sjelljen e tij, por përkundrazi, si gjithnjë i qeshur”
Kolegia e tij Age Martini zbuloi ëndrrën e tij:
“Absolutisht që nuk kemi vërejtur asgjë shqetësuese tek ai. Ne nganjëherë, si në këtë rast, bëjmë plane të mëdha, kur në fakt nuk kemi as jetën tonë të sigurt.
Dje, në kafen që konsumuam me Nardin folëm për sezonin turistik, planet e së ardhmes për fshatin turistik të Thethit dhe zhvillimin e mëtejshëm të turizmit. Ajo e djeshmja ishte një nga bisedat më normale që ne bënim gjithmonë.
Absolutisht që nuk kemi parë asnjë lloj problemi apo shqetësimi tek ai. Ishte ai Nardi që kemi njohur, ndenjur dhe kemi parë gjithmonë, ashtu si e kemi njohur përherë”, tha Martini.