MENU
klinika

Në kujtim të Sadije Agollit

Vuajtja e bukur e grave të shkrimtarëve

03.03.2019 - 17:15

Shkrimtari i njohur amerikan Egdar L. Doctorow shkruan diku për një emision në radio, me titull “Jeta me shkrimtarin”, ku në një bisedë me bashkëshortet e shkrimtarëve ishte e ftuar edhe gruaja e tij.

“Moderatorja e filloi emisionin me fjalët: Ne shpesh dëgjojmë se shkrimtarët janë egoistë, arrogantë, interesohen vetëm për kokën e tyre, ua vështirësojnë jetën njerëzve që kanë pranë – ah, sa të tmerrshëm janë. Dhe në këtë çast, gruaja ime, të cilën ajo ende nuk e kishte prezantuar, e ndërpret: Zonjë, nuk e dija që e njihnit burrin tim!”

M’u kujtua kjo bisedë kur mora vesh për lajmin e trishtuar të ikjes nga jeta të bashkëshortes së shkrimtarit Dritëro Agolli.

Për një botues që merret me letërsinë shqipe, sidomos me majat e saj, kjo është një situatë krejt e kuptueshme. Ndryshe nga publiku i gjerë, i cili komunikon me shkrimtarin nëpërmjet krijimeve të tij, gëzohet, lumturohet, trishtohet me personazhet e tij, shkrimtari i duket pak a shumë si një qenie që s’është e kësaj bote, sepse nuk ka rast ta shohë si fle, si zgjohet, si vishet, si ushqehet, si i pi ilaçet apo kur grindet, kur bërtet, kur është i padrejtë dhe ngulmon pamëshirshëm në të tijën. Dhe bëhet tjetër njeri, që kur bie celulari dhe fjala e parë, gjithë seriozitet është: Alo. Një mobilizim i atypëratyshëm për njerëzit jashtë rrethit të tij.

E ndjeva këtë vuajtje të bukur të grave të shkrimtarëve te portreti dhe fjala e Sadijes në një rast kur po xhirohej një film nga TCH për Kadarenë. Ishte parashikuar që të dy shkrimtarët të takoheshin vetëm për vetëm, si dy miq të hershëm, te Bar Juvenilja. Ishte një ditë tetori, por ngaqë kishte rënë shi, bënte disi ftohtë. Po shfletonim shtypin e ditës, kur pamë të afrohej Dritëroi, i mbajtur për krahu nga Sadija. U ndjeva në siklet sepse duhej të ishte edhe Helena, nuk ishte menduar se do të vinin si çift. Dritëroi ende s’i kishte mbushur të tetëdhjetat dhe Sadija nuk i ndahej asnjëherë, në asnjë rast. Kur u afruan, vura re që të dy ishin të emocionuar dhe i ftohti sikur ua shtonte më shumë këtë ndjesi. Madje Kadare, në vend të përshëndetjes, e pyeti Sadijen: “Pse je kaq e mallëngjyer?” Dhe përgjigjja e saj: “Ti më ke njohur me kët’ burrë. Jemi takuar në shtëpinë tande. Faleminers.” Dhe Kadare që ia ktheu menjëherë: “Ohu sa gjëra kemi bërë ne me Dritëroin.”

E kishte harruar vërtet Kadare këtë fakt? Me siguri, po. Sepse për ata vetëm letërsia e tyre ekziston, vetëm ajo është më e rëndësishme dhe gjithçka tjetër, s’ka të bëjë ta. Sepse shkrimtarët, qëkurse kanë lindur dhe janë në këtë botë, kanë vetëm një dashuri të padyshimtë, të përjetshme, pas së cilës vijnë dashuritë e tjera. Kjo është dashuria e shkrimtarit për letësinë, një dashuri gati hyjnore.

“Për veten dhe artin (që ish pjesë e vetes së tij), ai do të sakrifikonte, në fund të fundit, Emën”, – thotë Bardhyli te romani i parë i Kadaresë “Mjegullat e Tiranës”. Bardhyli është alter egoja e autorit dhe ky pohim duket tepër i sinqertë, për moshën kur është shkruar dhe nuk është aq e lehtë ta kuptosh vite më pas, kur është një shkrimtar i njohur. Sepse ata mbeten po të njëjtët, rreth të cilëve rrotullohet bota.

Po si e kanë përballuar gratë e shkrimtarëve gjithë jetën këtë rivalitet në dashuri, si e kanë përjetuar ata dashurinë që mijërat e lexuesve kanë pasur në faza të ndryshme të jetës për bashkëshortët e tyre? Shumë e thjeshtë: sepse ato janë shpërblyer me një lumturi, pothuaj hyjnore: kanë patur fatin e bukur dhe të rrallë në botë, që të përjetojnë të parat gëzimin e leximit të krijimit të sapolindur!

Apartamentet e Kadaresë dhe Agollit, dy shkrimtarëve që kanë sunduar gjysmën e shekullit XX në letërsinë shqipe, tashmë janë destinuar të bëhen muze. Por asgjë nuk mund të krahasohet me bashkëshortet e tyre, të cilat ruajnë në kujtesën, mendjen dhe shpirtin e tyre gjithçka që ka të bëjë me jetën e shkrimtarit. Ndaj, ikja e Sadije Agollit është humbja e një ure që na lidhte me shpirtin e Dritëroit. Pjesa tjetër, kryesorja, sigurisht, sikundër thotë vetë poeti, me fjalët e tij: “do të më gjeni në raftin e librave.”

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit