MENU
klinika

A do të ketë dialog?

Vuçiç: Çështja e Kosovës, më e vështirë se në kohën e Gjingjiç

12.03.2019 - 16:26

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se propozimi i tij për çështjen e Kosovës vjen në një kohë kur “situata në Kosovë është dhjetë herë më e vështirë” sesa në kohën e Dobrica Çosiçit (ish president i Jugosllavisë 1992-1993) dhe Zoran Gjingjiçit ( ish kryeministri serb i vrarë në vitin 2003).

“Në kohën e Çosiqit ne kishim kontrollin policor dhe ushtarak në Kosovë, ndërkohë në kohën e Gjingjiqit nuk e kemi pasur deklaratën e pavarësisë dhe as vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Vuçiç pohoi se “nuk kemi pasur kufijt në Jarinjë dhe Brnjak”

Megjithatë, presidenti i Serbisë, tha se në thelb dialogu me përfaqësuesit e Prishtinës është “më larg se kurrë me parë”.
Ai shprehu frikën se as në një të ardhme të afërt nuk do të ketë vazhdim të dialogut.

Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i dialogut, por edhe Shtetet e Bashkuara janë duke i bërë presion Prishtinës dhe Beogradit që të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht  ndërmjet dy vendeve.

 

Brukseli dhe Uashingtoni kanë thënë se iu mbetet palëve në dialog të vendosin modalitetet e marrëveshjes.

Ndërkohë, dialogu në Bruksel është ndërprerë për shkak të Beogradit nuk dëshiron vazhdimin e tij përderisa autoritetet në Prishtinë nuk e heqin tarifën prej 100 përqind për mallrat serbe, të vendosur në nëntor të vitit të kaluar.

Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po e kundërshton heqjen e saj derisa Serbia ta njohë pavarsinë e Kosovës.
Prej disa muajsh Beogradi dhe Prishtina po akuzojnë njëra-tjetrën se po kushtëzojnë vazhdimin e dialogut.

SHBA-ja dhe BE-ja po i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës që së paku të pezullojë tarifën për një periudhë 120 ditore në mënyrë që t’i hapet rruga vazhdimit të dialogut.

Partneri i koalicionit qeverisës në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës po e përkrahë këtë ide mirëpo kundërshtuesi më i madh i saj mbetet kryeministri, Ramush Haradinaj, që vjen nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.