Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ka paralajmëruar zhvillimin e mbledhjes, ditën e nesërme në orën 10:00.
Në fokus të mbledhjes janë miratimi i procedurave për përzgjedhjen e kryeprokurorit të ri të vendit dhe prokurorëve të Njësisë Antikorrupsion.
Sipas njoftimit, në mbledhjen e nesërme do të miratohet rregullorja “Mbi kriteret dhe procedurën për ngritjen në detyrë të prokurorëve pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, si dhe Miratimi i Rregullores “Mbi kriteret dhe procedurën për përzgjedhjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm”.
Po gjatë kësaj mbledhjeje, do të shpallet hapja e procedurës, për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm si dhe do të miratohen magjistratët prokurorë udhëheqës për praktikën profesionale të kandidatëve për magjistratë të Shkollës së Magjistraturës.