Në Tuz të Malit të Zi zhvillohen sot zgjedhjet për këshilltarët komunal të Komunës së sapo krijuar.
Janë rreth 11.904 persona me të drejtë vote, ndërsa janë hapur 30 qendra votimi në orën 07:00 të mëngjesit.
Në Mal të Zi nuk zhvillohen zgjedhjet direkte për kryetarin, por do të jenë këshilltarët ata që do të zgjedhin me një shumicë të thjeshtë drejtuesin e institucionit vendor.
Këshilli Komunal i njohur si Parlamenti i Tuzit ka në total 32 anëtarë. Votimi pritet të mbyllet në orën 20:00.
Partitë shqiptare atje kanë dalë së bashku në zgjedhjet dhe pritet të marrin shumicën e votave.
E diela e 3 Marsit pritet të jetë një ditë historike për shqiptarët e Tuzit. Tri partitë politike kryesore që veprojnë në këtë zonë kanë formuar një koalicion parazgjedhor nën moton “Malësia na Bashkon” duke kandiduar me një listë të vetme, e në këtë mënyrë duke rritur shanset që kjo komunë të udhëhiqet nga një shqiptar.