MENU
klinika

Takimi në Beograd

Zyrtari amerikan apel Kosovës dhe Serbisë: Rihapni bisedimet

08.03.2019 - 22:33

Zëvendës sekretari amerikan i Shtetit, David Hale, u bëri apel Kosovës dhe Serbisë të rihapin bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Zoti Hale takoi të premten në Beograd presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të diskutuar rrugët e vazhdimit të bisedimeve që janë pezulluar për shkak të refuzimit të Serbisë për vazhdimin e tyre pa heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe që u vendosën në nëntor të vitit të kaluar nga qeveria e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për heqjen e tarifave, ndërprerjen e provokimeve të dyanshme dhe vazhdimin e bisedimeve. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin me Serbinë dhe dëshirojnë të ndërtojnë marrëdhënieve edhe më të fuqishme” thuhet në një njoftim të ambasadës në Twitter.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se: “Serbia në një afat relativisht të shkurtër kohor do të ndërmarrë masa përmes të cilave do të reagojë ndaj mospërmbushjes së detyrimeve të Kosovës ndaj marrëveshjeve të Brukselit, vendosjes së tarifave ndaj mallrave serbe dhe ndërprerjes së bisedimeve nga ana e Prishtinës”.

David Hale pritet të qëndrojë të shtunën në Prishtinë, për t’u bërë thirrje autoriteteve që të pezullojnë tarifat ndaj mallrave serbe dhe të hapin rrugën për rifillimin e bisedimeve.

Në prag të vizitës në Serbi dhe Kosovë, ai i tha të përditshmes serbe Danas, se nuk u takon Shteteve të Bashkuara që të “diktojnë përfundimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit” dhe se “ka mundësi që gjatë këtij viti të arrihet një marrëveshje, nëse fillojnë bisedimet”.

Javën që lamë pas, dy zyrtarë të lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, qëndruan për dy ditë në Kosovë për të siguruar pezullimin e tarifave ndërsa paralajmëruan shtimin masave ndëshkuese nëse Kosova vazhdon të refuzojë kërkesat e tilla.

"Hedhim hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake"

Nis procesin për hapje të fabrikës për prodhim të municioneve!

Vuçiç “heq dorë” nga “Serbia e Madhe”

Intervista që zuri ngushtë presidentin serb

Ministrja Gërvalla: Rezultat historik

Kosova hap ambasadën e saj në Kolumbi